Ofiqari i Mamushës falsifikon dokumentin e trashëgimisë së një familjeje, prokuroria i ngre aktakuzë
Prokuroria Themelore e Prizrenit, Departamenti i krimeve të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.SH., në cilësi të ofiqarit në Komunën e Mamushës dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i akuzuari M.SH., në cilësi të personit zyrtar, si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar nuk i shënon të dhënat e duhura, në atë mënyrë që më 02.02.2016, e përpilon “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtare bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.SH., i cili dokument ndërkohë është përdorur si provë për trashëgimi te noteri. Me këto veprime, i akuzuari M.SH., kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari A.M., vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetonte një çështje të pavërtetë, në atë mënyrë që pas 02.02.2016, shkon në Zyrën e noteres në Mamushë, e dorëzon “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë në bazë të së cilës, noterja sjell “Aktvendim trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.SH. Me këto veprime, i akuzuari A.M., kryen veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” sipas KPRK-së.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit M.SH., dhe A.M., kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.