Gjykata Themelore e Prishtinës bëhet me pajisje audioincizuese
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet projektit Mbështetje Përpjekjeve Antikorrupsion (SAEK II), ka dhuruar audio pajisje për incizim, Departamentit special kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë në një ceremoni rasti të mbajtur sot.
Valbona Bogujevci, asistente përfaqësuese e përhershme dhe kordinatore e programit me këtë rast theksoi: “Është mjaft inkurajuese të shohim edhe themelimin e Departamentit special kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të Gjykatës Themelore të Prishtinës, si pjesë e përpjekjeve të gjithmbarshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Ne mbesim me shpresën se pajisjet për incizime që po dhurojmë sot do të ndihmojnë transparencën e seancave gjyqësore, do të përmirësojnë efikasitetin në punë si edhe do të mundësojnë akoma më shumë qasjen në drejtësi”.
Arben Hoti, nënkryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës tha se audio pajisjet për incizim janë domosdo për efikasitetin e seancave gjyqësore. Z. Hoti vazhdoin duke thënë se sundimi i ligjit është prioritet, sidomos meqë jemi në proces të integrimeve. Misioni ynë tha Hoti, nuk mund të arrihet pa mbështetjen e UNDP-së dhe të donatorëve, prandaj jemi shumë mirënjohes dhe do të dëshironim të vazhdonim bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
Ky donacion është pjesë e aktiviteteve për të mbështetur systemin e drejtësisë në Kosovë për përmirësimin e transparencës së seancave gjyqësore, qasjes në drejtësi dhe efikasitetit të sistemit në përgjithësi, duke mundësuar reduktimin e dukshëm të kohëzgjatjes së gjykimeve.
Zyra e UNDP-së në Kosovë do të vazhdojë partneritetin me Gjykatën Themelore në Prishtinë, më saktë Departamentin special, në përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur objektivin e qëndrueshëm të zhvillimit, SDG 16, për paqe, drejtësi dhe institucione të fuqishme.
Donacioni është bërë i mundur fal mbështetjes financiare të Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) në Kosovë.