75 Mall Live Search
16:22 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Fuqizohen kapacitetet shtetërore të mbrojtjes së prodhimtarisë bimore

Gjatë ditës së sotme u mbajt takimi përmbyllës i projektit të Binjakëzimit “Mbështetje në fuqizimin e kapaciteteve të sistemit të prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Projekti është realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shtetëror për Mbrojtjen e Bimëve të Letonisë.

Të dy autoritetet arritën me sukses hartimin e ligjeve dhe procedurave të reja për kontrollin e bimëve, sipas praktikave të mira bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Projekti zgjati dy vjet dhe përfitues ishin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë. 

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet tjera përgjegjëse në vend, duhet shtojmë përpjekjet që të rrisim ndërgjegjësimin e politik-bërësve dhe publikut për rëndësinë e shëndetit bimor. Ne do të bëjmë punën tonë në ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e tyre dhe ngritjen e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik”, tha Valdet Gjinovci, drejtor ekzekutiv i AUV-së.

Ndërsa, Kristine Lifanova, Drejtoresha e Shërbimit Shtetëror për Mbrojtjen e Bimëve të Letonisë dhe udhëheqësja e projektit nga shteti anëtar, me këtë rast u shpreh se realizimi i suksesshëm i projektit u arrit falë një pune të madhe dhe bashkëpunimit të ngushtë me vendin pritës.

“Janë shumë ekspertë vendorë, të cilët janë trajnuar certifikuar, njëkohësisht edhe pjesën analitike të laboratorit e kemi mbështetur me trajnime per testime laboratorike. Tani jeni në rrugë të mirë që me kapacitetet e krijuara t’i mbroni dhe zhvilloni bimët e shëndetshme”, tha Lifanova. 

Kapllan Halimi, sekretar i MBPZHR-së, u shpreh se projekti ka arritur me sukses vendosjen e standardeve të mbrojtjes së bimëve të nivelit evropian.

“Shkëmbimi i përvojave të ekspertëve të Kosovës dhe atyre të Letonisë, mundësia që ne kemi pasur të punojmë ngushtë me një vend me përvojë në mbrojtëse të bimëve, sot e ka ngritur standardin e kontrollit fitosanitar në vend”, tha ai.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes rezolutës së saj ka shpallur vitin 2020 si vit ndërkombëtar i shëndetit të bimëve.