Haradinaj thotë se nuk e ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur të papranueshme kërkesën e tij për definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.
Haradinaj në një konferencë për media pas një takimi me degët e AAK-së dhe PSD-së, deklaroi sot se ende nuk e ka lexuar vendimin, por që u shpreh se është mirë që ideja e tij që vendimi t’i kthehet popullit ka ndodhur.
“Unë nuk e kam lexuar ende vendimin. Ne nuk kërkojmë kompetenca, as unë as Qeveria që ka dhënë dorëheqje, ne kemi kërkuar zgjedhje dhe kemi kërkuar që mandati me iu kthye sovranit, pra vendimi i sovranit që për fat ka ndodhur. Por, Kosova nuk guxon me mbet as një minutë në vakum qeverisës, sepse shteti nuk guxon me ekzistua në vakum qeverisës dhe për këtë arsye unë atëherë iu kam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, jo për hatër të kësaj qeverie, timin, se i kam dëgjuar plot spekulime të asaj kohe. Për fat të mirë ka ndodhur ajo që kam kërkuar në rastin e dorëheqjes, që vendimi me iu kthye qytetarëve që të shkojmë në zgjedhje, kështu po ndodh. Mirëpo vendi nuk guxon me mbet në vakum qeverisës, janë disa detyra qeverisëse që kanë të bëjnë me kujdestaritë të jetës, pa ato detyra rrezikohen vendi. Unë nuk kam guxuar me dezertua, pra kam dhënë dorëheqje në bazë të Kushtetutës po jo dezertim, jo me e lënë vendin p a përkujdesje në tema që e bëjnë jetën, sepse ashtu bëjë edhe vepër penale. Pra, nëse e lë vendin në vakum qeverisës, bëj vepër penale, ndëshkohesh jo vetëm për veprimin e gabuar, po edhe për mos veprim”, u shpreh ai.
Ai tha se do ta analizojnë vendimin dhe do të deklarohet rreth asaj.
Kujtojmë se Haradinaj i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të definuar se cilat janë kompetencat dhe funksionimi i Qeverisë pas dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi ishte ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar, raporton KosovaPress.
Por, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sot të papranueshme kërkesën e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt.
Gjykata nuk ka listuar kompetencat që mund t’i ushtrojë një qeveri në dorëheqje.
“Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme”, thuhet në një njoftim të Kushtetueses, pas seancës shqyrtuese të mbajtur më 4 shtator 2019.
Teksti i plotë i vendimit të Kushtetueses:
“Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit.
Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
– Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme.