75 Mall Live Search
00:06 / E Enjte, 05 Shtator 2019 / indeksADMonline

Lekaj: Osmani e pafuqishme, Kurti vardisës për karrigë e lufta e Veselit për korrupsion absurde

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili është pjesë e AAK-së, ka komentuar kandidaturat për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit.

Lekaj në emisionin DPT te Fidani, ka thënë se asnjëri nga kandidatët nuk janë të duhur përveç Ramush Haradinajt, pasi që ky i fundit tashmë e ka dëshmuar fuqinë e tij si politike ashtu edhe vendosshmërinë.

Ndërsa kur foli për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, fushatën e tij që po e bën kundër korrupsionin e quan absurde.

“Veseli mendoj që për përgjegjësitë që i ka pas PDK-ja pas luftës s’ka mund ta luftojë korrupsionin, por është zhyt në korrupsion dhe si tani brenda nate u lind një personalitet që mund ta luftojë korrupsionin. S’mund të thirrësh si kryetar partie që të bëshh një marrëveshje për ta luftuar korrupsionin kur dihet që ke pas dy- tri mandate dhe nuk e ke luftuar”.

Teksa kur foli për liderin e VV-së tha se Kurti nuk është konsistent për veprimet e tij, ndërsa këtë e dëshmoi me veprimin e tij me LDK-në ku synonte karrige.

“Kurti ma së pari ai s’ka dëshmu që din me qeverisë, që është konsistent në veprimet e tij, që nuk e pretendon karrigen e nuk e don shtetin.Kjo u dëshmu nga vardisja ndaj LDK-së, i ra në gjunjë Mustafës, dihen sloganet për LDK-në e tani e quan profesor i nderum. Maska i ra shpejtë dhe Kurti e tregoi veten”, tha Lekaj, përcjellë Indeksonline.

E, kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmanin e quajti si të pafuqishme për ta marr postin për kryeministre.

“Vjosa s’ka fuqi politike brenda LDK-së dhe dihet që kanë koncepte të ndryshme pasi Lutfi Haziri ka qënë për ndarje të Kosovës. S’është shefe e partisë dhe s’ka fuqi. Fuqia e Haradinajt me Osmanin dallojnë si nata me ditë. Për ta vënë përballë Vjosën dhe Vuçiçin s’mund t’i përballojë”.

Sipas Lekajt, vetëm Haradinaj është kandidat i duhur, ku ka numëruar disa arsye.

“Asnjëherë Haradinaj s’është lëkundur as në luftë s në paqë. Vendimet e tij janë autonome që nuk ndërhyn askush dhe s’ka lakmi për pozitë. Një njëri që dësmon vendosmërinë dhe sakrificën si e dëshmoi në luftë edhe tani”./Indeksonline/