75 Mall Live Search
13:32 / E Premte, 06 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ismaili përuron Klinikën e Endokrinologjisë së rinovuar

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, kanë përuruar sot Klinikën e Endokrinologjisë së rinovuar në QKUK.

Me rastin e përurimit, Ismaili ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur me reformat që po bëhen të mundura në sektorin shëndetësor, falë edhe luftës së madhe ndaj korrupsionit.

“Është kënaqësi të shohësh se fondet, të cilat nuk abuzohen më, tani kthehen në investime direkte për qytetarët edhe për personelin shëndetësor. Bashkëdyzimi i vullnetit dhe energjisë ka arritur që të krijojë sot një klinikë, e cila realisht mund të jemi krenarë me të”, tha ai.

Ismaili ka përgëzuar edhe menaxhmentin e Klinikës së Endokrinologjisë për krijimin e një klinike, e cila sot ofron shërbimet më të mira për pacientë.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se të gjitha reformat po bëhen për të mirën e pacientëve.

“Në këto ambiente tashmë ka hapësira moderne për mjekimin e pacientëve. Këto janë rezultatet kur krahas mbështetjes institucionale ka edhe një rol proaktiv të menaxhmentit të klinikës për të përmirësuar kushtet”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Venera Berisha-Muharremi, tha se ky është një investim që ka ndryshuar tërësisht shërbimet për pacientë.

“Klinika jonë tani ka një infrastrukturë moderne dhe të gatshme për të gjitha shërbimet ndaj pacientëve”, ka thënë drejtoresha e klinikës.

Kjo klinikë përveç ngjyrosjes, ndërrimit të dyshemesë, ndërtimit të pritores së re, modernizimi të sallës së edukimit, ka siguruar edhe televizorë për secilën dhomë të pacientëve.

 Po ashtu, secili shtrat i ri i pacientëve e ka edhe butonin e tij për të thirrur infermieren në rast të ndonjë kërkese.