75 Mall Live Search
14:10 / E Hënë, 23 Shtator 2019 / indeksADMonline

Shfaqja “Komedi e kuqe” ftohet në Gjermani, ekipi nuk gjen përkrahje financiare për udhëtimin

Shpesh krijuesit kosovarë, sidomos ata të artit dramatik kanë hasur në vështirësi për të shfaqur prodhimet e tyre si teatrale, ashtu edhe kinematografike me artdashësit jashtë kufijve. Vështirësitë më të mëdha janë ato financiare, për shkak të buxhetit të vogël dhe mospërkrahjes nga institucionet përkatëse.

Edhe Kreshnike Osmani, regjisorja që numëron disa shfaqje të realizuara, pavarësisht sukseseve të saj, nuk gjeti përkrahje financiare nga Komuna e Mitrovicës, më saktë nga Drejtoria e Kulturës, pavarësisht se shfaqja “Komedi e kuqe” me autore Albana Mujën, është prodhim i teatrit të këtij qyteti, e që u dha premierë, më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Shfaqja “Komedi e kuqe” që i përket zhanrit komedi e që trajton një temë mjaft aktuale, atë të braktisjes së vendit dhe martesës për “letra” u ftua në Koln të Gjermanisë nga organizata kulturore “URACult”, e që do të shfaqet këtë të shtunë, pavarësisht premtimeve nga Komuna e Mitrovicës, udhëtimi për në shtetin gjerman po bëhet pa asnjë mbështetje financiare.

Regjisorja Osmani përmes një njoftimi të bërë në llogarinë e saj Facebook, ka treguar për mosmbështetjen dhe vështirësitë që ka pasur stafi për ta bërë këtë rrugëtim.

Ky është postimi i saj i plotë:

Miq të dashur, tani jeni të informuar për shfaqjen “Komedi e Kuqe“, prodhim i Teatrit “Muharrem Qena” që do të shfaqet në Köln të Gjermanisë këtë te shtunë me ftesë nga organizata kulturore “URACult”. Më duhet të bëj të ditur, që ky rrugëtim i joni bëhet pa asnjë mbështetje financiare, përkundër premtimeve që na u bënë nga institucionet përkatëse! Falë “URACultit” dhe organizatës “UNIONI i bizneseve gjermano-shqiptare” ky udhëtim u realizua dhe shfaqja do të jepet për publikun artdashës në Köln (Gjermani). Nuk do ta zgjas më tepër sepse n’kohën e lirë timen do të vij me një letër publike të detajuar që nga dita e parë e projektit “Komedi e Kuqe”. Falenderoj publikisht aktorët për durimin dhe punën që kanë treguar gjatë plot dy muajve prova, përkundër rrethanave fatkeqe që i kishim!
Shfaqjes “Komedi e Kuqe“ i dëshiroj sukses në rrugëtimin që ka nisur.

Detajet e këtij eventi:
28 Shtator (e shtune)

18:00h Hapja e ekspozitës “URA” – Kushtrim Istrefi

19:00h Shfaqja “Komedi e kuqe” Teatri i qytetit “Muharrem Qena”

Autore Albana Muja
Regjia Kreshnike Osmani

Luajnë
Xhejlane Tërbunja
Mehmet Preteni
Njomza Tmava
NiK’ Istrefi
Muzika e kompozuar Arber Krasniqi

20:30h Program muzikor – Arber Krasniqi

Adresa
Bürgerhaus Stollëerk Dreikönigenstr. 23 50678 Köln