Osmani: Kurti t’i pranojë simbolet e Kosovës, nuk do ta mbajë fotografinë e Thaçit në zyrë
Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre në emisionin PRESSING në T7, ka folur për programin qeverisës, derisa ka komentuar edhe koalicionin qeverisës të mëhershëm në mes të partisë së saj të udhëhequr nga Isa Mustafa dhe PDK-së.
“PDK dhe LDK ka qenë qeveria më e mirë e pasluftës, edhe vet VV e ka dhënë këtë vlerësim, kjo dëshmon se edhe kur LDK udhëheq me qeverinë mund të bëj gjëra të shkëlqyeshme për vendin.
LDK-ja sot më ka vënë mua në krye të proceseve e ka pranuar se koalicioni me PDK-në është i dëmshëm. Mustafa ka fol për pengesën nga koalicioni me Thaçin.
LDK po ndryshon rrënjësisht, duke i dhënë fuqinë e saj fuqisë së elektoratit, gjeneratës së re dhe duke u bazuar në profesionalizëm”, ka thënë Osmani, përcjellë Indeksonline.
Osmani ka shtuar i gjithë personaliteti i saj politik është ndërtuar në çdo fazë nga një aktiviste deri në kandidate për kryeministre duke marrë për bazë qytetarin.
“Edhe sot për mua është me rëndësi që ai vullnet mbartet në strukturat e partisë e më pas edhe në Qeveri.
Unë nuk them që LDK është e pagabueshme dhe perfekte, por kurrë s’e kam keqpërdor votën e tyre dhe LDK ka mësuar nga gabimet e veta”.
E pyetur nëse në zyrën e saj do ta mbajë fotografinë e presidentit Hashim Thaçi nëse bëhet kryeministre, ka thënë se ligji nuk e thotë këtë.
“Nëse e keni lexu ligjin s’është e domosdoshme që me mbajtë fotografinë e presidentit Thaçi. Diku në ndërtesë, por jo në zyrë”.
Osmani foli edhe për kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, me partinë e së cilit nuk arritën ta bëjnë një koalicion parazgjedhor, por shpreson që kjo të arrihet pas 6 tetorit. Por ajo thotë se për këtë së pari Kurti duhet ta dojë vendin e vet.
“Vetëm kur VV të kuptojë gabimet e veta, mund ta krijojmë një koalicion.
Për t’u lidh koalicioni VV – LDK, Kurti duhet ta dojë Kosovën. Ta dojë Kosovën ashtu si e dua unë, t’i pranojë simbolet edhe si deputet ose si kryetari i kuvendit, e jo ta lusim ta dojë vendin e vet”./Indeksonline/