“Tifozat Kuq e Zi” kanë një kërkesë urgjente për FSHF-në
Përplasjet në mes të tifozëve të Kombëtares shqiptare dhe Federatës nuk kanë të ndalur.
“Tifozat Kuq e Zi” kanë kërkuar nga FSHF që të distancohet nga deklaratat e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishi.
Dervishi ka fyer tifozët që po ankohen për çmimet e biletave, duke thënë se “futbolli nuk është për hallexhinj”.
Ky është njoftimi i “Tifozave Kuq e Zi”:
Letër publike Federatës Shqiptare të Futbollit!
Arben Dervishi deklaron se “futbolli nuk është për hallexhinjtë”. Ky copë mishi i veshur me petkun e njeriut, që kurrë në jetën e tij ska paguar biletë, por i ka marrë falas, fatkeqësisht është zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, institucion që propagandon e fton “hallexhinjtë” në stadium dhe që këtyre hallexhinjëve u’a shet biletat me çmimin e një finaleje të Ligës së Kampionëve. Këta hallegjinjtë e japin edhe lekun e fundit që ta shohin Kombëtaren, lek të cilin e fitojnë me stërmundime dhe shumë djersë, e jo duke u servilosur e duke u lëpirë pas personave me pushtet apo grupeve të interesit.
Ftojmë Federatën që të distancohet nga këto deklarata të turpshme, fyese dhe përqeshëse, si dhe të rishikoj politikën e çmimeve sa më të arsyeshme për xhepin e qytetarit të rëndomte shqiptar ( e jo të Dervishëve).