Emigrantit i hiqet gjoba për pastrim pa leje rrugësh në Itali
Një këshill lokal në veri të Italisë ka anuluar një gjobë të shqiptuar për një emigrant nigerian pasi ka pastruar rrugët pa leje.
29-vjeçari, i quajtur Monday, ka vendosur të pastrojë rrugët në periferinë e Venecias në Mestre në vend që të kërkonte lëmoshë nga kalimtarët, shkruan BBC.
Fillimisht ai mori gjobën në shumën prej 350 eurove, por protestat bënë që zyrtarët ta tërhiqnin atë. Gjoba, po ashtu, bëri që në Internet të apelohej për të mbledhur para për ta paguar atë.
“Do të doja që të integrohem në shoqërinë tuaj pa kërkuar lëmoshë”, ka shkruar Monday në një karton. “Do të mbajë rrugët tuaja pastër dhe kërkojë kontribut vetëm për punën time”, shkruante në kartonin e tij.
Në një postim në Facebook, Matteo D’Angelo, i cili ka filluar apelin online, ka thënë se migranti ka fshirë “gjethet që kanë bllokuar pusetat sa herë binte shi, filtrat e cigareve dhe gjithë bërllokun që ne qytetarët e civilizuar e gjuajmë në tokë” , transmeton Koha.net. “Mjerim për një djalë të gjorë që përpiqet të integrohet”, shtoi ai.
Veprimet e Mondayt si duket kanë tërhequr vëmendjen e policisë pas ankesave të banorëve. Por gjoba është tërhequr pasi policia ka pranuar katër thirrje telefonike nga banorët e tjerë lokalë, të cilët e kanë mbrojtur atë.
Autoritetet ka thënë se gjoba është dhënë nga oficerët e rinj dhe të papërvojë.
Imigrimi vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme në Itali, ku mijëra migrantë kanë arritur viteve të fundit.
Javën e kaluar, Italia dhe Franca bënë thirrje për një sistem të ri i cili do t’i rishpërndante automatikisht migrantët në të gjithë Bashkimin Evropian.