Maldini – në mbrojtje të Giampaolos
Paolo Maldini ka komentuar situatën alarmante te Milani.
Drejtori sportiv i kuqezinjve i del në krah trajnerit, duke u shprehur se atij i duhet pak më shumë kohë, megjithëse tifozët duan që Giampaolo të shkarkohet.
“Ne kemi zgjedhur trajnerin dhe do ta mbrojmë, është e drejtë t’i japim pak kohë. E dinim se do të hasnim vështirësi, megjithëse nuk e prisnim të humbnim katër nga gjashtë ndeshjet e para, por gjithashtu edhe kualiteti i futbollit të shfaqur nuk është i kënaqshëm.
Për momentin mund të duket sikur jemi në tunel, pa dritë, por siç e tha edhe trajneri, puna e madhe të nxjerr jashtë tunelit. Patjetër që është faji i lojtarëve, klubit, trajnerit, të gjithëve.
Mendoj se tifozët kanë të drejtë të protestojnë. Janë luajtur vetëm gjashtë javë, asgjë nuk është e humbur. E dimë se në futboll situata mund të ndryshojë menjëherë. Ajo që më shqetëson më shumë është se pamë një përkeqësim nga ndeshja me Torinon.
Është e çuditshme pasi luajtëm shumë mirë gjatë fazës parasezonale. Është e vështirë të shpjegosh këtë rënie të madhe në tri ditë. Kjo është një fanellë prestigjioze me një histori të madhe dhe disa lojtarë janë shumë të rinj, akoma të paaftë për të kuptuar historinë e saj.”