Limaj: Kandidatët për kryeministër, që po refuzojnë me dalë në debate s’meritojnë votë
Në vazhdën e tubimeve elektorale, Nisma Socialdemokrate ka takuar strukturat, simpatizantë dhe qytetarë të shumtë në Gjakovë, nga kandidati për kryeministër Fatmir Limaj ka theksuar nevojën që të bëhen bashkë, pasi sipas tij Kosovën, kurrë asnjëherë nuk mund të mbrojë vetëm një njeri.
Limaj, po ashtu ua paraqiti programin e tij qeverisës qytetarëve të Gjakovës, duke e cilësuar si më të nevojshmin për Kosovën.
“Kosovën kurrë, askush nuk ka me mbrojt vetëm një njeri, ne e mbrojmë bashkë. Asnjëherë Kosova nuk është zhvilluar vetëm me një njeri. Thirrja që veç me mua kryhen krejt është mashtruese”, tha ai.
Limaj sërish theksoi nevojën që pavarësisht dallimeve me partitë politike, ata nuk duhet të t’i shohin si armiq, teksa kërkoi debat me kundërkandidatët e tij për kryeministër.
Kandidati për kryeministër nga Nisma teksa shpalosi detaje nga programi qeverisës së tij, tha se duhet të bëhen të gjithë bashkë për zhvillim ekonomik, drejtësi, skema pensionale të mirëfillta dhe për të rinjtë.
“Bashkë për shtetin është për një jetë më të mirë për njerëzit tanë. Për punëtorin që mbrohet me ligjin e punës. Për të rinjtë, për nënën e Kosovës, për gra për motrën për t’i siguruar jetë të dinjitetshme. Për prindërit që t’i takojnë shtesat për fëmijët për nënat vetushqyese. Bashkë për shtetin për pensionerin”, tha Limaj.
Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Gjakovë, njëherësh kandidati për deputet, Fazli Hoxha tha se skenës politike në Kosovë i ka munguar një lider unifikues si Fatmir Limaj.
“Lideri ynë është treguar unifikues në skenën politike. I ka munguar skenës politike një lider, i cili ofron gjithë spektrin politik, pozitë e opozitë. Një lider që asnjë herë nuk e ka prioritet veten, strukturën partiake, por gjithmonë është me ballë të interesave të shtetit”, tha ai.