Midis vështirësish të mëdha financiare, KB Lipjani synon mbijetesën në Superligë
Para dy sezoneve, klubi i basketbollit, Lipjani, shkroi historinë duke u inkuadruar për herë të parë në Superligën e Kosovës. Para një numri të madh shikuesish, Lipjani mposhti klubin prizrenas, Kalaja dhe siguroi pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës.
Nje arritje e tillë, ngriti lartë edhe vetë qytetin e Lipjanit, që tashmë mburreshin që kishin një ekip që do të garonte në nivelin më të lartë të basketbollit në vend.
Me disa përforcime vendore dhe të huaja, ekipi nga Lipjani arriti që me sukses ta siguronte mbijetesën në Superligë edhe për një sezon tjetër, e që ishte sukses në vete.
Megjithate, sezoni i dytë në Superligë nuk ka nisur ashtu siç prisnin edhe vet klubi. Për keto telashe dhe ecurinë e ekipit në vazhdimesi, për Indeksonline foli edhe trajneri i cili është që nga krijimi i klubit, Pajazit Olluri.
“Ne kemi filluar stërvitjet për sezonin e ri në Superligë. Fatkeqësisht, kemi një krizë financiare dhe kemi startuar me ndihma vetanake deri në gjetjen e ndonjë sponzori e që është esenciale për jetëgjatësinë e klubit” – theksoi Olluri.
Komuna e Lipjanit kishte alokuar 8.500 euro nga buxheti i saj për klubin, ndërsa këto mjete janë shpenzuar gjatë stinorit pranveror.
Për këtë sezon, KB Lipjani ka arritur të siguronte shërbimet e dy basketbollistëve amerikanë, Demarcus Stuckey JR dhe Marquise Simules, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë janë të Komunës së Lipjanit, lojtarë vendorë.
Ndeshjen e parë të sezonit, Lipjani e zhvilloi kundër Bashkimit si mysafir duke pësuar humbje, por nuk kishte dy përforcimet amerikane, ndërsa të enjten e pret Yllin, dhe të drejtë loje do të ketë Demarcus Stuckey Jr, ndërsa Marquise Simules do të duhet të presë edhe pak të bëjë debutimin me klubin lipjanas.
Për këtë ndeshje, klubi kërkon edhe mbështetjen e publikut vendas.
“Si në sezonin e kaluar në Superligë, ashtu edhe në Ligë të Parë, kemi pasur një përkrahje nga qytetarët e Lipjanit, të cilët nuk kanë hezituar të vijnë dhe të na përkrahin nga afër. Shpresojmë që edhe nesër, ata do jenë në numër të madh dhe të jenë lojtari ynë i gjashtë në parket” – përfundoi trajneri Olluri./Indeksonline/
