75 Mall Live Search
18:00 / E Hënë, 07 Tetor 2019 / indeksADMonline

Deklaratë e rëndë e trajnerit, Toma ofendon futbollistët e tij

Kryetrajneri i Vushtrrisë, Antonio Toma është treguar i ashpër me futbollistët e tij pas përfundimit të ndeshjes me Flamurtarin (2-2).

Tekniku italian ka thumbuar rëndë futbollistët e tij, derisa theksoi se disa prej tyre nuk e kanë vendin në fushën e lojës.

“Sepse kemi lojtarë që është dashur të bëjnë diçka tjetër dhe jo të luajnë futboll. Kur kishim epërsinë prej 2-0, Gashi dhe De Souza kishin mundësi për të shënuar edhe golin e tretë dhe të qetësisë. Ato gabime edhe na kushtuan. Unë i njoh futbollistët e mi edhe pse ishim duke triumfuar 2-0 e kam ditur se do ta humbasim ndeshjen. Nuk kemi futbollistë që e qetësojnë lojën dhe luajnë mirë me topin. Thjesht është e papranueshme kjo çfarë na ndodh neve”, deklaroi Toma pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”.

I mllefosur Toma vazhdoi intervistën teksa theksoi se është e papranueshme se si një futbollist i vetëm i shënon gol brenda zonës përballë 5 mbrojtësve.

“Inkuadrova pesë mbrojtës për ta ruajtur rezultatin 2-1 në 15 minutat e fundit dhe ne pranuam gol nga vetëm një futbollist kundërshtarë brenda zonës. Unë iu tregoj edhe gjatë seancës stërvitore se kënd ta markojnë dhe si të luajnë në zonë, por është e kotë, pasi ata e shikojnë vetëm topin”, përfundoi Toma.