30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vjedhje dhe plagosje të një personi, në Gjilan
Gjykata Themelore e Gjilanit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30- ditësh të pandehurit J. T..
Ekziston dyshimi i bazuar se më 11 tetor rreth orës 20 në fshatin Livoç i Ulët, Komuna e Gjilanit, i pandehuri me dashje ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm me armë – revole , në atë mënyrë që pasi që kryen vjedhje në shtëpinë e të dëmtuarit V. Z., më pas hyn në oborrin e të dëmtuarit L. Z., dhe pasi që ai hetohet, gjatë ikjes i pandehuri ballafaqohet me të dëmtuarin L. Z. dhe prindin e tij S. Z., nga rreziku se mos po e kapnin atë, i pandehuri fillimisht shtinë me armë në drejtim të panjohur, ashtu që me t’u afruar në një distancë prej 2 metrash shtin në drejtim të të dëmtuarve, ashtu që në pjesën e poshtme të trupit nën gju e godet të dëmtuarin L. Z., ku të dëmtuarin e godet njëherë me qëllim që t’i shmanget kapjes së tij dhe ikte në drejtim të panjohur.
Mirëpo, pas disa orësh i pandehuri është arrestuar nga zyrtarët policorë.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të të pandehurit, pasi që masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.