Rinumërohen votat e 530 vendvotimeve – shkak manipulimet
Për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë të subjekteve politike, Komisioni Qendror Zgjedhor në bazë të të dhënave të auditimit të publikuar nga QNR, mori vendim që në 530 vendvotime të rinumërohen votat.
Ky vendim u mor sot në një konferencë për media të drejtuar nga Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së.
Derisa Burim Ahmetaj nga QNR foli edhe për numërimin e votave të diasporës që ka përfunduar mbrëmë, ndërsa tha se janë në fazën e fundit që t’i hapet rrugë edhe numërimit të votave me kusht, përcjellë Indeksonline.
Sa i përket votave të subjekteve dhe kandidatëve për deputetë gjatë procesimit të formularëve ai tha se një numër i madh i vendvotimeve nuk ka mundur të procesohen në rregull, pasi që ka pas mospërputhje të votave të subjekteve dhe votave të kandidatëve.
“Rastet kur subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidatët kanë dhe numri i tyre është 81. Gjithashtu kemi raste kur kandidati për deputet ka më shumë vota se vet subjekti e kjo është bërë në 89 vendvotime. Po ashtu edhe kur të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota se vet subjekti”, ka thënë ai.
Ahmetaj tha gjithashtu se kanë hasur edhe në raste kur ka më shumë fletëvotime se sa janë shënuar në formularët e rezultateve./Indeksonline/