Izraeli vazhdon të dëmtojë tokat bujqësore në Gaza
Pesticidet me të cilat Izraeli tashmë pesë vite spërkat tokat bujqësore vazhdojnë të dëmtojnë kulturat dhe shëndetin e njeriut në Gaza, ka treguar një raport, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një raport i titulluar “Ndikimi i spërkatjes së Izraelit në kufi me substanca kimike” i publikuar nga Qendra e të Drejtave të Njeriut El-Mizan me qendër në Palestinë, ka treguar se Izraeli në pesë vitet e fundit ka spërkatur 30 herë tokat bujqësore me përbërës kimikë, duke shënjestruar bimët dimërore dhe ato verore.
Në raport thuhet se pesticidet e hedhura nga avionët izraelitë nga kufiri në Rripin e Gazës ndikojnë në një thellësi nga 700 deri në 1.200 metra nën tokë dhe në këtë mënyrë kanë dëmtuar një sipërfaqe mbi 700 hektarësh.
Izrael spërkat tokat në Gaza me pesticide kancerogjene
Më tej, raporti thekson se bimët e spërkatura shkaktojnë probleme serioze në shëndetin e njerëzve dhe gjallesave, ndërsa përbërësit e hedhur qëndrojnë në tokë nga 60 deri në 80 ditë. Sipas raportit, kjo ka ndikuar edhe në cilësinë dhe prodhueshmërinë e tokave bujqësore.
Në raport thuhet se pesticidet në fjalë përmbajnë substanca kancerogjene, të cilat shkaktojnë pjellje me të meta te kafshët ose madje edhe ngordhje.
Pesticidet në fjalë po ashtu kanë shkaktuar edhe dëme materiale te pronarët e tokave, thuhet në raport.