“Dardanët” ende nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen në ndeshjen me Çekinë
Kanë mbetur edhe dy javë deri në ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës në kualifikimet për Euro 2020.
“Dardanët” do të luajnë kundër Çekisë në Plzen ndeshjen e parafundit në kuadër të grupi A.
Fituesi i kësaj ndeshje në një mënyrë do të jetë i dyti në grup, vend ky që dërgon në finalet e evropianit.
Megjithatë, tifozët kosovar ende nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen në tribunat e stadiumit ku do të luhet ndeshja.
Ata kanë aplikuar për vizë në ambasadën çeke në Shkup, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje për vizë.

Kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje dhe se janë pritur shumë “ftoftë” nga zyrtarët në Shkup.
“Ende nuk kemi marrë përgjigje për vizat, besoj se deri në fundjavë do të kemi diçka konkrete. Bashkëpunëtorët tanë kanë qenë sot në Shkup për të pyetur por ende nuk kemi diçka zyrtare. Mirëpo jemi pritur shumë “ftoftë” nga ana e tyre“, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar gjithashtu se kanë kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për të intervenuar në këtë çështje.
Ditë më parë, Lulzim Berisha ka shkruar se nëse nuk do të ketë viza do të jetë plani që përmes maleve të shkohet në Çeki.
Deri më sot Dardanët kanë qenë me numër të madh në çdo stadium kundërshtar, si në Angli ashtu dhe në Bullgari dhe një pjesëmarrje e tillë i ka frikësuar shumë çekët sa që ndeshjen e kanë organizuar në një stadium të vogël dhe kanë ndaluar shitjen e biletave për çdo kosovar në pjesët tjera të tribunave. /IndeksOnline/
