Fajoni kërkon që të vazhdojë dialogu, thotë se i gjithë procesi është bllokuar
Evrodeputetja Tanja Fajon tha sot se është shumë e rëndësishme që dialogu mmidis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë.
“Jemi shumë të zhgënjyer që nuk ka përparim dhe se i gjithë procesi është bllokuar. Prioritet yni është të rinovojmë dialogun dhe që të dyja palët të gjejnë një mundësi të re për një traktat që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar Fajon, transmeton Indeksonline.
Ajo deklaroi që shpreson që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje e mundur dhe që dialogu të fillojë pas certifikimit të zgjedhjeve në Kosovë.
“Unë mendoj se mund të ketë një atmosferë të re zhvillimi tashti. Normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve është një nga kushtet kryesore për pranimin e Serbisë në BE. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme që procesi të vazhdojë”, shtoi ajo.
Ajo tha po ashtu se rruga drejt gjetjes së një zgjidhjeje është e vështirë.
“Tashti jemi në procesin e emërimit të një Komisioni të ri Evropian. Ne kemi një shef të ri të politikës, Joseph Borel, por kemi nevojë për një Qeveri të re në Kosovë që së pari ta heqë taksën 100%.Ne e kemi theksuar vazhdimisht këtë”, theksoi Fajoni.
Fajoni tha se qëllimi përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke thënë se besojnë sinqerisht se Beogradi dhe Prishtina do të ndjekin idenë ‘Schumann’ për pajtim dhe se një normalizim i marrëdhënieve do të dakordohet së shpejti.
“Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive politikën e zgjerimit të BE-së dhe të avokojë për një qasje serbe si mënyra më e mirë për të ecur përpara me integrimin evropian.”/Indeksonline/