75 Mall Live Search
10:23 / E Hënë, 04 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Isa Xhemajlaj: Shtatorja e Adem Jasharit në sheshin “Fehmi Lladrovci”, veprim jo i qëlluar!

Tri shtatore të tjera shumë shpejt do të zënë vend në sheshin “Fehmi Lladrovci” të Drenasit. Në mes të sheshit kanë nisur punimet për bazamentin e tri shtatoreve të heronjve të pavdekshëm, Shaban Jashari, Hamëz Jashari dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se mbi këtë bazament, do të vendosen shtatoret e tre heronjve, më 28 Nëntor.

Punimet për bazamentin e tri shtatoreve

“Sheshi kryesor i Drenasit, tashmë ka heronjtë e heroinën Xhevë Krasniqi- Lladrovci, Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina dhe Bedri Shala. Këto shtatore, përjetësohen duke qenë zemra e lirisë, mesazh ndër shekuj se si fitohet liria, këtu ku buron liria jonë”, ka thënë Lladrovci.

Por dikush nga opozita nuk po pajtohet me mënyrën se si po vendosen shtatoret në Drenas.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Drenas, Isa Xhemajlaj, ka thënë se vendosja e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në një shesh që tashti mban emrin e një heroi nuk është i veprim i qëlluar.

“Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas po pritet që të vendoset edhe shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Emërtimi dhe vendosja e shtatores së Heroit të Kombit “Fehmi Lladrovci” në sheshin e Drenasit ishte vendim i duhur dhe vlerësim për kontributin që dha për lirinë e Kosovës deri në rënien e tij heroike. Por vendosja e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në një shesh që tani mban emrin e një heroi nuk është i veprim i qëlluar”, ka thënë Xhemajlaj.

Sipas tij, nëse vërtet, Drenasi do ta nderojë figurën e Komandantit dhe familjes Jashari duhet ta bëjë një shesh tjetër që do mbante emrin sheshi “Adem Jashari”.

Shtatorja e Adem Jasharit

“Kam dilemat e mia se pas vendosjes së shtatoreve të Jasharëve dhe Komandantit Adem Jashari si do të quhet ky shesh: sheshi “Fehmi Lladrovci”, sheshi “Adem Jashari”, “Sheshi i heronjëve”, ka thënë Xhemajlaj./Indeksonline/