Sheshi i shtatoreve
Sheshit të Drenasit “Fehmi Lladrovci”, po i shtohen edhe tri shtatore të reja. Madje, vendosja e shtatoreve, çdo vit nga një, ishte një nga premtimet e kryetarit të kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Në bronz kësaj radhe do të shkrihen tre heronjtë e popullit tonë, Shaban, Hamëz e Adem Jashari. Laureta Thaçi, zyrtare për informim ka thënë për Indeksonline se punimi i këtyre shtatoreve ashtu si edhe të mëparshmëve po bëhet përmes donacioneve.
“Komuna e Drenasit nuk ka shpenzuar asnjë nga mjetet e buxhetit komunal apo qendror për shtatoret e reja e as ato që tanimë janë në sheshin “Fehmi Lladrovci”.
Të gjitha shtatoret që janë vendosur në Drenas në qeverisjen e kryetarit Ramiz Lladrovci dhe këto që pritet të përurohen, janë nga donacionet e ndryshme, pa shpenzim të parasë publike”.
Thaçi ka shtuar se punimet në sheshin “Fehmi Lladrovci” për bazamentin e tri shtatoreve, filluar dhe mbi këtë bazament me 28 nëntor do të vendosen dhe do të përurohen. Derisa ka treguar se nga kush janë punuar.
“Shtatoret janë punuar nga skulptorët Ylber Krasniqi dhe Sabri Behramaj, ndërsa shkrirja në bronz është bërë nga një kompani shqiptare”.
Punimet e shtatoreve nga dy skulptorët kosovar i vlerësoj edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi, mirëpo ai tha për Indeksonline se ato rrezikojnë të ngulfaten pikërisht për shkak të hapësirës dhe afërsisë me shtatoret e tjera.
“Ato shtatore në Drenas janë mirë të realizuara, mirëpo hapësira është shumë e rëndësishme për skulpturën, arsyeja për të komunikuar skulptura në hapësirë dhe kohë. Nëse i afrojmë afër atëherë mund të na eskalon estetika dhe skulptura të ngulfatet. Rasti konkret i Shkupit”.
Muharremi shtoi se e rëndësishme për punimin e shtatoreve është se ato duhet të peshojnë në kohë.
“E dyta është ngjashmëria, duhet të jetë shumë e saktë. Vëllimi, linjat, përmasat, hijet të gjitha këto janë të rëndësishme për një shtatore të mirëfilltë.
Nëse sot i punojmë heronjtë, duhet të mos i ngarkojmë shumë me armë, sepse koha e kufizon skulpturën në hapësirë, por të nja veçojmë paksa atë me të cilën shquhej heroi, e jo ta teprojmë. Kështu që këto skulptura janë mirë nuk janë të tepruara”.
Por, ideja e vendosjet se tre heronjve në sheshin e Drenasit, nuk po i pëlqen Kryetarit te Nismës Socialdemokrate në Drenas, Isa Xhemajlaj.
Ai ka thënë se vendosja e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në një shesh që tashti mban emrin e një heroi nuk është i veprim i qëlluar. Sipas tij, nëse vërtetë, Drenasi do ta nderojë figurën e Komandantit dhe familjes Jashari duhet ta bëjë një shesh tjetër që do mbante emrin sheshi “Adem Jashari”.
Ndryshe, deri më tani në sheshin e Drenasit janë të vendosura shtatoret e heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, heronjëve Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina dhe Bedri Shala./Indeksonline/