Vuçiqi në rolin e parashikuesit, kështu i përgjigjet Vjosa Osmani
Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me deklaratën e dhënë nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, i cili tha se futja e NISMA-s në Kuvend, është lojë e LDK-së për të dëmtuar Albin Kurtin.
Osmani tha se jo rastësisht Aleksandar Vuçiqi ishte ministër i Propagandës në kohën e Millosheviqit dhe se pikërisht këtë propagandë pra, e bën më së miri.
“Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit”, tha Osmani, transmeton Indeksonline.
Osmani deklaroi se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon kryeministrin.
Sipas saj LDK-ja nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vuçiq-it.
“Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”, përfundoi Osmani./Indeksonline/