Varhelyi: Dialogu të përmbyllet suksesshëm, më 2020
Sot në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian ka nisur seanca dëgjimore, ku duhet të konfirmohet kandidati për komisioner të fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi, nga Hungaria. Ai është kandidati i dytë nga ky shtet, pasi Laszlo Trozscanyi ishte refuzuar për këtë pozitë, për shkak të problemeve me konflikt interesi.
Varhelyi, i cili është ambasador i Hungarisë në Bashkimin Evropian, ka thënë se Ballkani Perëndimor, do të jetë prioritet nëse ai konfirmohet Komisioner i Zgjerimit.
Në fillim të seancës dëgjimore ai ka thënë se duhet punuar që të arrihet pajtim për nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, një vendim që nuk u arrit në samitin e fundit të BE-së. Sipas Varhelyi, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit me këtë rajon duhet të jetë prioritet, ndërkohë që metodologjia në procesin e zgjerimit duhet të përshtat në mënyrë që ky proces të jetë me një dinamikë më të shpejtë.
“Duhet ta bëjmë BE-në më funksionale, por kjo nuk duhet ta pengojë procesin e zgjerimit”, ka thënë ai.
Kandidati për Komisioner të Zgjerimit, Oliver Varhelyi ka paralajmëruar një agjendë ambicioze sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces të cilin, deri më tash e ka lehtësuar Bashkimi Evropian.
“Unë do të punojë së bashku me (Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri) për të sjellë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në përmbyllje të suksesshme në vitin 2020”, ka thënë ai.
Varhelyit i janë parashtruar edhe disa pyetje rreth lojalitetit dhe çështjes së sundimit të ligjit. Ai ka thënë se është besnik ndaj BE-së dhe askujt tjetër. Sa i përket sundimit të ligjit, Varhalyi është shprehur se do të mbetet prioritet në punën e tij në procesin e zgjerimit, si një kriter kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se nuk do të hezitojë që të përdorë kriteret rreth sundimit të ligjit për të ndalur procesin e negociatave apo hapjen e kapitujve nëse ndonjë shtet kandidat nuk i respekton këto kritere.
Aktualisht janë edhe tre kandidatë për komsioner evropian që duhet të konfirmohen, në mënyrë që në fund të muajit të votohet për përbërjen e re të Komisionit Evropian që do të udhëhiqet nga Ursula va nder Leyen. Ky komision, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të nisë mandatin pesëvjeçarë nga 1 dhjetori.