‘Albini i vogël’ kritikon partinë e tij, harron që edhe Vetëvendosje udhëheq në Vushtrri
Gjatë zgjedhjeve u bë i njohur për shkak të ngjashmërisë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prandaj mori nofkën ‘Albini i vogël’.
Gazmend Gjyshinca, tashmë deputet i ardhshëm nga radhët e LVV por duket se ende nuk i di të gjitha gjërat rreth LVV.
Përmes një postimi në Facebook, Gjyshinca ka kritikuar pushtetin e Vushtrrisë për një projekt për sheshin e ri, shkruan Indeksonline.
Por, deputeti i ri i LVV duket se ka harruar që LVV është në koalicion me partinë udhëheqëse në këtë qytet, LDK.
Për më shumë lexojeni postimin e plotë të tij:
Beton koka, beton toka!
Vitet po kalojnë por ka diçka që s’po ndryshon: Betonizimi si “fenomen” qendror në mendësinë e të qeverisurit e të të ndërtuarit të qyteteve tona. Poashtu anashkalimi e minimizimi i hapësirave të gjelbëra brenda tyre, ky si “koncept” dominant planifikimi.
Ky degradim i gjithanshëm urban, kjo dekadencë që filozofi e analisti i ideve të estetikës së botës perendimore në 150 vitet e fundit, rumuno-amerikani Matei Calinescu e vlerëson si refleksion të botës sonë të shteruar, nuk po përfundon dot as 20 vite pas luftës së fundit.
Bashkë me të edhe rëndimi i përditshëm i shëndetit tonë mental si individë e si shoqëri.
Krejt kjo po bëhet edhe më e rëndë kur edhe ato pak monumente të trashëgimisë kulturore që kanë mbijetuar, po i rrethojmë me beton në të katër anët e tyre.
Si për shembull ky shesh i ri që po ndërtohet përballë ndërtesës së Komunës së Vushtrrisë e afër një objekti të trashëgimisë kulturore.
Njejtë po ngjan edhe me lejimin zyrtar të “përtypjes” së vazhdueshme të shtëpive të ndërtuara në stil tradicional (ndërtime të ulëta) nga gjigantët e ndërtimtarisë masive të banesave të larta në brendësi të qyteteve tona.
Duhet të zgjohemi shpejt! Kostoja që do të paguajmë në të ardhmen ka për të qenë shumë e shtrenjtë.
Rruga e mëkëmbjes kalon nëpërmjet ngritjes së shtetit të së drejtës dhe luftës së pa kompromis ndaj korrupsionit në njërën anë. Dhe e vetëdijësimit kulturor si shtet e shoqëri në anën tjetër.