KMDLNJ-ja, fton qytetarët për protestë kundër shtrenjtimit të sigurimit të veturave
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e kundërshton rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve dhe përgjegjës kryesor për këtë e bën Bankën Qendrore e cila, në vend që ta luajë rolin e rregullatorit të këtyre kompanive po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës.
“Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasni veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën”, thuhet në një reagim të Këshillit.
KMDLNJ-ja mendon se pikërisht ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë shumë në zvogëlimin e numrit të 100 mijë veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara.
“Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rrisë numrin prej 100 mijë automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara”, thotë KMDLNJ-ja.
Andaj në lidhje me këtë KMDLNJ-ja fton qytetarët që të protestojnë kundër këtij vendimi dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.
Po ashtu KMDLNJ, BQK-ja fton Prokurorinë e Shtetit që ta hetoj BQK-n për “një vendim krejtësisht jotransparent që e ngarkon buxhetin e qytetarit, edhe ashtu të varfëruar”.
KMDLNJ-ja pret dhe kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të jetë më i vendosur në reagim ndaj këtij vendimi të padrejtë dhe diskriminues.