Ja çfarë duhet të kenë parasysh prindërit që duan të adoptojnë një fëmijë
Pediatrja Lira Gjika, e përkushtuar për të dhënë këshilla të vlefshme, që do të ndihmojnë çdo prind në lidhje me rritjen në mënyrë të shëndetshme, të fëmijëve të tyre, këtë herë ka pasur në fokus fëmijët e adoptuar. Nuk është e thjeshtë as për prindërit që marrin këtë hap kaq të rëndësishëm, por as për një fëmijë që është i braktisur. Ja çfarë duhet të keni parasysh që kjo marrëdhënie të jetë e shëndetshme, sipas pediatres.
“Fëmija i adoptuar jeton me frikën se braktisja mund të përsëritet si dhe vështirësinë për t’u afeksionuar me prindërit adoptues. Prindërit adoptues duke i demonstruar durim dhe duke i dhuruar fëmijës gjithë dashurinë për të cilën ai apo ajo ka aq shumë nevojë, duhet t’i japin kohën e duhur, pa u bezdisur apo turpëruar se fëmija i tyre është ndryshe, derisa fëmija vërtetë të bëhet dhe ndihet pjesë e familjes.
Shpesh këta fëmijë cilësohen shumë të vështirë, me probleme socializimi apo me sjellje jonormale. Mendoj se më shumë është paragjykim sesa është e vërtetë. Nga eksperienca ime personale kam hasur fëmijë të vështirë të rritur nga prindërit e tyre biologjikë dhe të rrethuar nga njerëzit e tyre të gjakut dhe fëmijë të adaptuar që ishin për t’u patur zili për sjelljen dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve.
Në fakt fëmija i adoptuar ka të gjithë të drejtën e botës të shprehë dhimbjen, dyshimin dhe inatin, që provon brenda vetes dhe këtë natyrisht që do ta ndajë me prindërit. Ai apo ajo, ka eksperienca të rënda që lënë plagë në shpirt të fëmijës dhe si çdo plagë e rëndë, kërkon shumë kujdes dhe trajtim të vazhdueshëm deri sa të shërohet plotësisht.
Dhe që ky rrugëtim, i pranimit të familjes nga fëmija dhe njohja me prindërit të jetë sa më i mbarë dhe e shëndetshëm, duhet thënë e vërteta që në fillim: që një grua tjetër i fali jetën, por që nuk ishte gati të bëhej nënë dhe këta dy prindër, që nuk bënin dot fëmijë, e kërkuan dhe e gjetën dhe e kanë brenda shpirtit të tyre si çdo prind tjetër fëmijën e tij.
Prindër, ju, që adoptoni fëmijë dhe që bëni një vepër kaq të madhe, mos e filloni atë me gënjeshtër dhe frikë, por me kurajën e prindit, që e do shumë fëmijën e tij”.