75 Mall Live Search
10:32 / E Diele, 24 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Automjetet e parkuara me vite bllokojnë hapësirat publike

Automjete të braktisura që zënë hapësira publike mund të gjeni në çdo lagje të kryeqytetit. Sikur të mos mjaftonte mungesa e parkingjeve në Prishtinë, këto vetura i vështirësojnë edhe më shumë jetën qytetarëve.

Pronarët e automjeteve i lënë ato të parkuara për periudha të gjata në trotuare ose hapësira të tjera publike, duke vështirësuar qarkullimin edhe të këmbësorëve.

Sipas drejtuesve të Komunës së Prishtinës janë mbi 1500 vetura që nuk përdoren dhe me vite nuk kanë lëvizur nga parkingjet e ndërtesave, të cilat përveç që bllokojnë hapësirat publike, prishin edhe pamjen e qytetit.

Nga Policia e Kosovës i thanë KP se në një plan të afërm do t’i largojnë të gjitha automjetet që kanë defekte e që vazhdojnë të qëndrojnë në parkingje publike.

Në përgjigjen e Policisë së Kosovës, thuhet se ata do të largojnë edhe veturat që janë parkuar në hapësira publike që bizneset i shfrytëzojnë apo i rezervojnë vetëm për klientët e tyre.

Sipas tyre, i gjithë ky aksion do të bëhet në koordinim edhe me inspeksionin komunal.

Veturat jashtë përdorimit po bllokojnë edhe trotuaret dhe banorët thonë se me këtë hall po përballen prej vitesh.

Ata u shprehën të shqetësuar për veturat e palëvizshme, që i kanë zënë hapësirat publike.

Sipas tyre, Policia e Kosovës dhe komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për largimin e këtyre veturave.

Ismail Ismajli, banor i Lagjes “Dardania” në Prishtinë tha se, një ndër problemet më të mëdha në këtë lagje, janë makinat e vjetra të cilat sipas tij i kanë bllokuar parkingjet dhe janë bërë problem për banorët që jetojnë në atë zonë.

Hysen Gashi nga Prishtina tha se makinat e vjetra janë pengesë e madhe dhe sipas tij disa prej tyre nuk kanë lëvizur qe 5-6 muaj nga parkingjet.