75 Mall Live Search
21:56 / E Martë, 26 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Banorët e Durrësit ende në frikë nga tërmetet, qëndrojnë në vetura larg ndërtimeve të larta

Po vazhdon frika për lëkundje të tjera të tokës në Shqipëri.

Thuajse në gjithë vendin banorët po zgjedhin që të qëndrojnë jashtë shtëpive apo banesave të cilat kanë shpëtuar pa u shembur.

Gazetari i Indeksonline që gjendet në Durrës raporton se shumë prej banorëve janë vendosur nëpër veturat e tyre të pozicionuara shumica larg ndërtimeve të larta.

Deri më tani në Shqipëri janë shënuar 22 viktima, mbi 600 persona të lënduar dhe shumë të tjerë që figurojnë të zhdukur e që gjenden nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Përpos Kosovës, Shqipërisë po i dalin në ndihmë edhe shumë vende mike, në mënyrë të ndryshme që të bëjnë sa më të lehtë këtë tragjedi që trazoi gjithë vendin që në orët e para të mëngjesit.

Edhe pse kanë kaluar mbi 17 orë, ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar angazhimin e tyre për t’i gjetur të zhdukurit, derisa të tjerët po mundohen që t’i mobilizojnë ata që mbetën jashtë e që disa prej tyre po qëndrojnë në tenda./Indeksonline/