75 Mall Live Search
13:21 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës, identifikohet trupi i një 54-vjeçari nën rrënojat e “Mira Mares”

Policia e Shtetit njofton se vijojnë operacionet e kërkimit për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit kanë identifikuar trupin e një 54-vjeçari dhe po punohet për nxjerrjen e tij.

Njoftimi i plotë

Kanë vijuar pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit, për nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit.

Në Thumanë  dhe Durrës prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme  dhe deri në orën 12.40  janë nxjerr nga rrënojat 10 shtetas të pajetë. 

Në “agjen nr 13” në Plazh, te “Mira Mare”, ekipet e shpëtimit,  para një ore kanë identifikuar trupin e 54- vjeçarit dhe po punojnë  po nxjerrjen e tij  nga rrënojat.

Forcat Speciale Renea, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si edhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës kanë vijuar operacionet e kërkim-shpëtimit përgjatë gjithë natës në kushte të vështira.

Në Thumanë aktualisht janë ndërprerë kërkimet, pasi nga të dhënat që disponohen nuk ka më persona nën rrënoja.

Ndërkohë në  Durrës vijojnë kërkimet në lagjet: nr. 6, 13 dhe 17, tek ish-Këneta, për gjetjen e personave që dyshohet se kanë mbetur poshtë rrënojave.

Punonjësit e policisë janë të angazhuar edhe  në ndihmë të ekipeve të emergjencave, në qendrat ku janë ngritur çadrat.

Nga lëkundjet e fundit nuk janë konstatuar  probleme  për  jetën e qytetarëve.