Dimri po vjen, rreziku po shtohet, sheshi i Skenderajt në mëngjes i mbushur me qen endacakë
Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik për qytetarët. Ndonëse shpesh është kërkuar një zgjidhje për këtë problem, një gjë e tillë nuk është bërë akoma, pavarësisht iniciativave.
E rreziku më i madh nga ta vjen kryesisht në sezonin dimëror, ku rrugët, madje edhe ato kryesoret në qytetet e vendit tonë, vazhdojnë të jenë të stërmbushura nga qentë.
Një qytetar nga Skenderaj, ka publikuar një video në llogarinë e tij Facebook, ku tregon se cila është pamja e sheshit të këtij qyteti në orët e para të mëngjesit.
“Mirmëngjesi komuna e Skënderajit Sheshi “ Adem Jashari “
Ditet e ftofta po vin rreziku po shtohet.
Çdo ditë e me shumë rrezikohemi nga këta por askush nuk vepron . Ishallah nuk ndodh diçka sepse fajtorin këtu ne Skënderaj a problem me e gjet”, ka shkruar ai, përcjellë Indeksonline.
E, numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore në QKUK, pikërisht nga kafshimet e qenve nuk ishte dhe i vogël gjatë këtij viti. Lindita Ajazaj – Berisha, u.d. e drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK kishte thënë për Indeksonlinen se deri në fund të muajit tetor kanë qenë afro 350 raste të sulmeve nga qentë, kryesisht atyre endacakë.
Thuhet se në nivel vendi janë rreth 150.000 qen endacakë./Indeksonline/