75 Mall Live Search
14:49 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

ASK: Shuma e përgjithshme e shpenzimeve të Qeverisë së Kosovës – mbi 500 milionë euro

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), ka publikuar llogaritë 3-mujore qeveritare të Kosovës.

Në raport thuhet se shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë së Kosovës janë 511.9 milionë euro. 

Ky publikim, sipas ASK-së, paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe (TM3 2019).

“Shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për TM3 2019 ishte 600.7 milionë euro”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas kësaj agjencie, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në prodhime, të cilat paraqesin 68% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

“Në TM3 2019, totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 511.9 milionë euro”, thuhet tutje.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve (30%), kontributet sociale dhe përfitimet (26%), formimi i kapitalit bruto (21%), dhe konsumi i ndërmjetëm (12%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve”, përfundon njoftimi.

Këtu gjeni detajet