Itali, goditet banda kosovare, që grabiste turistët në autostrada
Autoritetet policore italiane kanë shkatërruar një bandë kosovarësh të cilët grabisnin turistë e udhëtarë në pikat e ndalimit të autostradave përgjatë rrugës së rajonit te Friuli, Venezia, Giulia e Veneto.
Me urdhër të Prokurorisë së Pordenones janë lëshuar 7 urdhër arrestime. 4 kosovarë janë arrestuar në flagrancë, 2 janë shpallur në kërkim ndërkombëtar e një kosovar ishte arrestuar më parë për një tjetër vepër penale e ndaj të cilit rëndon dhe akuza si anëtar i kësaj bande.
Operacioni i koduar “Grabitësit” (Predator) ka zbardhur 3 taktikat që kjo bandë përdorte për të vjedhur turistët e klientët që ndalonin për të pushuar në pikat e ndalimit të autostradave.
Me anë të taktikës së “hutimit”, duke sinjalizuar probleme të paqena, të kërkesës së “informacionit” (pyetje të sajuara) e “të shpimit të gomave” kosovarët hutonin drejtuesit të automjeteve e u grabisnin çanta, portofola, telefona e sende me vlerë që kishin brenda në makinë.
Autoritetet italiane informojnë se operacioni ka qenë mjaft kompleks e vetëm pamjet video mund zbardhin e dëshmojnë mënyrën e veprimit të bandës së grabitësve kosovarë.