Miftaraj: Vendimi i Gjykatës Supreme për njohjen e vendimit të masave të dhunshme paraqet vepër penale
Në emisionin “Betimi për Drejtësi” është transmetuar hulumtimi “Njohja e aktgjykimeve diskriminuese nga Gjykata Supreme”.
Gjatë këtij emisioni, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë vendimi i Gjykatës Supreme për njohjen e vendimit diskriminues të kohës së masave të dhunshme paraqet vepër penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve.
Ndiqeni deklarimin e Miftaraj dhënë për emisionin “Betimi për Drejtësi”.
“Ky është ndër rastet më reprezentative lidhur me zbatimin e ligjeve diskriminuese kundër shqiptarëve në vitet 90-ta. Në këtë rast kishte pasur reagime para shpalljes së pavarësisë, qoftë nga avokati i popullit që në atë kohë udhëhiqej nga ndërkombëtarët, qoftë nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të cilët në mënyrë taksative edhe me shkresa edhe me opinionet e tyre i kishin kërkuar në atë kohë Habitatit që në rastin konkret, pala shqiptare në këtë rast t’i kthehet e drejta për shfrytëzim të pronës. Në pajtim me këtë kishin vendosur edhe shkalla e parë, shkalla e dytë, në atë kohë gjykata komunale dhe gjykata e qarkut në Prishtinë, por që fatkeqësisht pas shpalljes së pavarësisë, gjykata supreme kishte vendosur në mënyrë tjetër duke zbatuar ligje diskriminuese në kohën e Millosheviqit në kohën e regjimit jugosllav regjimit serb në Kosovë. Në këtë drejtim lirisht mund të themi se vendimi i gjykatës supreme hyn në kuadër të asaj që kodi penal i Kosovës e ka përcaktuar si vendim i kundërligjshëm, i cili ka zbatuar ligje diskriminuese dhe i cili nuk ka zbatuar ligjet pozitive, ligjet e aplikueshme në Kosovë, meqë rast një qytetari të Republikës së Kosovës i është mohuar e drejta për shfrytëzim të pronës së tij”, ka deklaruar ai.