Gati një muaj nga certifikimi i rezultateve, VV-LDK s’po merren vesh për bashkëqeverisje
Të premten bëhen një muaj që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Por ndonëse ka kaluar shumë kohë që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, ende nuk ka shenja për krijimin e Qeverisë se re, raporton IndeksOnline.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve po vazhdon që një kohë të gjatë bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të hyrë në koalicion qeverisës, mirëpo deri tashti nuk kanë arritur marrëveshje.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thirrur për të enjten (nesër) seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, por pavarësisht kësaj nuk ka ende një emër se kush mund të jetë kryetar i Kuvendit.
Pa një marrëveshje midis dy subjekteve politike, nuk mund të këtë as konstituim të Kuvendit.
Mollë sherri për formimin e Qeverisë është posti i presidentit, të cilin po e kërkon për veti Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zyrtarë të dy partive politike, ndonëse po deklarohen se bisedimet janë në rrugë të mbarë, ata po lëshojnë deklarata të shumta e të rënda kundër njëri- tjetrit./IndeksOnline/