75 Mall Live Search
12:56 / E Enjte, 02 Janar 2020 / indeksADMonline

Kçiqi i Madh në hall nga hajdutët, 15 shtëpi u thyen brenda dy javësh

Banorët e Kçiqit të Madh në hall nga vjedhësit, vetëm në dy javët e shkuara janë thyer e vjedhur rreth 15 shtëpi në këtë lokalitet, ata kërkojnë masa adekuate nga policia

Mbrëmë në natën e parë të vitit 2020 rreth orës 22 janë thyer edhe janë vjedhur tri shtëpi, ngjashëm ka ndodhur edhe në javën e fundit të vitit 2019, ku vjedhësit kanë thyer edhe vjedhur po ashtu tri katër shtëpi në lagje të ndryshme të Kçiqit të Madh.

Kçiqi i Madh është lokaliteti më i madh rural në vendin tonë dhe në komunën e Mitrovicës, sipas regjistrimit të fundit ka mbi 4 mijë e 500 banorë rezidentë, ndërkohë që numri i banorëve jo rezidentë është mbi 5 mijë, shtrihet në një gjatësi rreth 2 kilometra përgjatë magjistrales Vushtrri-Mitrovicë dhe ka 11 lagje, pas luftës këtu janë vendosur edhe rreth 100 familje nga të gjitha fshatrat e Shalës së Bajgorës.

Viktima të operimit të hajdutëve në 24 orët e fundit janë dy familje Musliu dhe një tjetër me mbiemrin fejza, që ndodhen në pjesën nën rrugën magjistrale, familjarët kanë shpërndarë xhirimet e kamerave të sigurisë, ku shihen dy persona të moshës së re (vështirë të identifikueshëm) që kanë duksa me kapela dhe që lirshëm futen dhe “operojnë” ketë shtëpi.

Banorët kanë raportuar këto raste në polici, mirëpo të paktën deri më tani nuk ka ndonjë njoftim nëse dhe deri ku kanë shkuar hetimet për zbardhjen e këtyre vjedhjeve, aq më parë që brenda dy jave janë të paktën 15 shtëpi të thyera, kryesisht shtëpi të banorëve që janë jashtë, por ka edhe që kanë qenë aty.

Caku i vjedhjes nga këta persona janë kryesisht paratë e gatshme dhe bizhuteria edhe ari dhe në të paktën 5 prej tyre, ka njoftime edhe raportime se janë viktima të vjedhjes së tyre.
Familjet që posedojnë xhirimet nga kamerat e sigurisë në këto shtëpi, të cilat i janë dorëzuar policisë besojnë se mund të gjenden personat, që po thyejnë edhe vjedhin këto shtëpi, ndërkohë që ata kanë vendosur edhe njoftimin se nëse identifikohen këta persona do marrin shpërblim.

Këshilli i fshatit ka kërkuar urgjentisht nga Policia e Kosovës veprime adekuate për ndalimin e kësaj dukurie qoftë përmes shtimit të pranisë së policisë por edhe përmes vendosjes së nënstacionit policor në këtë lokalitet, që do kontribuonte për krijimin e sigurisë por edhe mbylljen e hapësirës për vjedhësit.

Ata planifikojnë që të takojnë drejtuesit e Policisë së Kosovës në Mitrovicë për të shpjeguar hallin dhe problemet, por edhe për të shikuar mundësinë për nënstacion policor në këtë lokalitet, ndërkohë nëse nuk ka asnjë veprim ata nuk përjashtojnë mundësinë për peticion, protesta edhe vetëmbrojtje , por pastaj pasojat duhet të barten nga institucionet që nuk kanë ofruar sigurinë.

Të tri këto familje, por edhe disa tjera dukshëm të revoltuara edhe pa ndonjë rezultat të zbardhjes së rasteve theksojnë se nëse institucionet nuk ndërmarrin masa, le të bartin edhe përgjegjësinë e ndonjë rasti, duke përmendur me këtë rast rastet kur kanë mbrojtur vetën edhe pronat që kanë ndodhur në lokalitetet tjera edhe ku pasojat kanë qenë direkt në jetën e njerëzve.