75 Mall Live Search
09:19 / E Hënë, 06 Janar 2020 / indeksADMonline

2019-a e ftesave, nga Specialja

Një ftesë nga Specialja në drejtim të kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt, bëri që ky i fundit të jepte dorëheqjen morale, duke dërguar kështu vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

“Në Hagë do të shkoj si Ramush Haradinaj, t’i dalë përballë shpifësve ashtu si e kërkon nderi i një  luftëtari të UÇK-së”, kishte deklaruar ai në mbledhjen e Qeverisë.

Haradinaj kështu s’ishte i pari dhe as i fundit, që u kërkua si dëshmitar nga dhomat e specializuara në Hagë, madje në vitin 2019, veçmas në tre muajt e fundit në vendin tonë arritën mbi 200 ftesa, ku jo të gjitha u bën publike, kjo për qëllim të ruajtjes së privatësisë. Ndërsa pati edhe të tillë që nuk e kanë lajmëruar ftesën e tyre.

Ani pse u fol se në muajin tetor dhe në fillim të muajit nëntor të ketë edhe arrestime, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në të kundërtën OVL UÇK do të kundërpërgjigjej me protesta, për të cilët Gjykata Speciale vazhdon të jetë e papranueshme nga ana e tyre, ndonëse ajo u votua në parlament nga vet bashkëluftatarët e tyre.

Kjo organizatë përveç që vazhdon ta kundërshtoi këtë gjykatë, punën e saj për mënyrën e shpërndarjes së ftesave e quajti të turpshme. Sipas të cilave ato u shpërndanë më së shumti nëpër kafene, nëpër rrugë, qorrsokakë e çajtore, e më pas personat që ftoheshin, deklaroheshin vet e këtë e bënin përmes rrjeteve sociale.

Gjykatës Speciale nuk i shpëtoi as ish-kryeparlamentari, njëherit kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli e bëri vet këtë publike më 7 nëntor, përmes një konference për media, ndërsa u paraqit në Hagë më 4 dhjetor, ku u intervistua hiq më pak se tre orë.

 “Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike”, kishte thënë ai.

Ndërsa me t’u kthyer, mënjehërë pasi zbriti në Aeroportin e Prishtinës, Veseli ashtu si edhe të gjithë ish-bashkëluftatarët e tij tha se ”Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik që ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë. Ftoj qytetarët e Kosovës që ta kalojmë bashkë këtë sfidë”.

Derisa në Hagë u morën në pyetje ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, më 19 dhjetor për intervistë nga dhomat e spcializuara udhëtoi edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ftesë nga Specilja pritet të marrë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilën gjykatë ai vazhdon ta quaj padrejtësi historike ndaj Kosovës. Por, se këtë e ka shtyrë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Deri më tani, janë rreth 250 persona të cilët janë ftuar nga dhomat e specializuara për t’u intervistuar në Hagë. Sipas kryetarit të OVL të UÇK-së Hysni Gucati, interesimi më i madh i prokurorëve të Dhomave të Specializuara ndërlidhet me veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ndryshe, më 3 gusht të vitit 2015 deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë “Po” Gjykatës Speciale në tentativën e dytë për ta kaluar atë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në momentin e votimit në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë./Indeksonline