75 Mall Live Search
14:57 / E Hënë, 06 Janar 2020 / indeksADMonline

Kurti mandatohet për kryeministër, pa marrëveshje me partnerët

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, brenda pak minutave do të mandatohet nga presidenti Thaçi si kandidat për kryeministër për formimin e Qeverisë së re.

Videomesazhi i sotëm i Kurtit, ku prezanton edhe ministrat e partisë së tij, dëshmon se Kurti e ka ndarë mendjen për ta marrë mandatin, ku nëse nuk arrin marrëveshje me LDK-në, zgjedhjet e reja do të provokoheshin seriozisht nga ana e tij.

Rruga e parë është pranimi i dekretit si mandatar për formimin e Qeverisë së re, si mundësi e vetme për të ardhur te zgjidhja e ngërçit politik.

Me nisjen e rrjedhjes së afatit 15- ditor nga ana e Kurtit, do ishte kohë e mjaftueshme kjo për marrjen e vendimit nga LDK-ja, e cila si duket nuk është e interesuar fare të bashkëqeverisë me Vetëvendosjen, sidomos pas qasjes goxha diktuese të saj, si me zgjedhjen e njëanshme të kryeparlamentarit, ashtu edhe me propozimin e njëanshëm të emrave për ministra dhe ministri, pa marrëveshje me LDK-në.

Kjo dëshmon se Kurti është shumë i interesuar të provokojë zgjedhje të reja, pasi që po e sheh tashti veten në pikun e tij politik, duke u munduar që tërësisht t’ia lërë fajin LDK-së.

Po ashtu, në këtë mes po minimizohet tërësisht edhe roli i Listës Serbe, e cila do ta ketë një ministër në Qeverinë e tij, ku po propozimin e saj nuk ka se si t’i votohet përbërja e Qeverisë së tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por, krejt ajo që po dëshmohet është se Kurti po qëndron shumë hapa para LDK-së, duke e vendosur këtë subjekt politik tërësisht në rol dytësor, që më shumë po ballafaqohet me diktatin e Kurtit dhe jo me partneritetin e tij.