75 Mall Live Search
08:27 / E Enjte, 16 Janar 2020 / indeksADMonline

​Mbahet seanca përfundimtare për rastin “Syri i popullit”

Sot dhe nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përfundimtare në procesin gjyqësore kundër Sadri Ramabajës, i njohur edhe si rasti “Syri i popullit”.

Në këtë seancë fjalën përfundimtare do ta ketë mbrojtja dhe vetë i akuzuari. Pra, në seancë mbrojtjen e tij do ta paraqesë vetë i akuzuari, Ramabaja, si dhe avokati i tij, Ramiz Krasniqi.

Nga zyra e avokatit Ramiz Krasniqi thonë se Ramabaja po mbahet në paraburgim prej më shumë se dy vjetësh, sipas një skenari akuzash politike, pa pasur asnjë arsyeshmëri juridike dhe ligjore.  Ata thonë se në fjalën e tij në seancë, Ramabaja pritet të zbardhë edhe shumë prapaskena politike të panjohura deri tani për opinionin kosovar.

Po ashtu edhe vetë avokati Ramiz Krasniqi thotë se do t’i bëjë të njohura të gjitha faktet që dëshmojnë se i akuzuari po mbahet në burg sipas një akuze të sajuar e të motivuar politikisht.