Haxhiu përsërit: Glauku nuk dorëhiqet, LDK fajtore që s’ka marrëveshje!

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes dy liderëve, atij të LDK-së, Isa Mustafës dhe të VV-së Albin Kurtit.
Albulena Haxhiu ka folur pas këtij takimi, derisa ka konfirmuar që nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët me LDK-në për krijimin e institucioneve.
“Natyrisht që doja të thoja që marrëveshja është finalizu, po s’mund ta them këtë për faktin se LDK po insiston në propozimin e saj të datës 8 janar. Pas kësaj date ne kemi dhënë dy propozime të tjera, por që janë refuzu nga LDK.
Siç e dini ne sot kemi pas një takim të gjatë edhe me përfaqësuesit e QUNT-it, por edhe një takim në mes dy subjekteve. Ne i kemi njoftuar ambasadorët për qëndrimet tona. Por unë s’mund të them që sot ka përfundu çdo gjë, pasi e kemi edhe një javë. S’mund të jap garancion për marrëveshjen, por garantoj që VV do të punojë në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu, përcjellë IndeksoNline.
Ajo tutje ka thënë se më 6 tetor qytetarët kanë vendos për ndryshim, duke shtuar të vetmin partner e kanë parë LDK-në.
“Çdo dështim me LDK-në do ta faktorizojë Hashim Thaçin. Ne kemi thënë që kemi pas përpjekje të vazhdueshme me arrit koalicion, para 26 dhjetorit për LDK-në i rëndësishëm ishte posti i presidentit, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit më pas u bë ky post. Mendoj që në këtë rast s’po ka vullnet me qeverisë bashkë”.
Haxhiu bëri thirrje LDK-së në emër të VV-së që të bëhet marrëveshja. Ajo gjithashtu shtoi se nuk e kanë pranuar propozimin për dorëheqjen e Konjufcës.
“Kjo do të ishte tallje me Kuvendin, që t’i themi kryetarit dorëhiqu, pastaj të jetë dikush i LDK-së për disa muaj. Mendoj që ideja e takimit me ambasadorët e QUNT-it s’ka qenë për ndërmjetësim, por vetëm t’i njoftojmë me atë se çfarë eshtë arrit deri tani.
Shumë shpejtë do të bëhen publike të gjitha propozimet e VV-së gjatë këtij procesi, s’dimë më çfarë të bëjmë më shumë”.
Haxhiu gjithashtu tha se nuk kanë caktuar për ndonjë takim tjetër me VV-në, por që do të jenë në komunikim./Indeksonline