75 Mall Live Search
13:55 / E Enjte, 06 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kryetari i Istogut: S’ka persona të lënduar, nga fatkeqësia natyrore

Pas reshjeve motit të lig i pëcjell me erëra të forta që kapluan vendin tonë këto ditë, Komuna e Istogut vazhdon të mbetet ndër vendet që ka pësuar dëme më të mëdha materiale, si pasojë e së cilave një pjesë e kësaj komune ka mbetur pa energji elektrike dhe pa shkolla funksionale.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, bëri të ditur se s’ka asnjë person të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore, por që dëmet materiale janë shumë të mëdha.

Ai tha se kanë formuar Komisionin për mbrojtje dhe shpëtim, të cilët sipas tij kanë filluar menjëherë punën në terren.

Rugova mendon se këto erëra do ta shoqërojnë Istogun edhe ditëve në vazhdim, e për këtë arsye ai pret që nesër ta vizitojë Qeveria në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje buxhetore për këto dëme.

“Së bashku me Drejtorinë e Shërbimeve Publike Emergjente, ishim në terren, është fakt se gjendja nuk është e mirë në terren, absolutisht, ka dëme të mëdha nëpër shkolla, institucione të shëndetësisë dhe institucione të tjera, por ka edhe në bujqësi, serra, objekte dhe shtëpi private. Ky është vlerësimi ynë preliminar, por megjithatë sot unë e ftova Komitetin për mbrojtje dhe shpëtim që është bazuar në rregulloren komunale dhe aty ku ishte prezentë edhe FSK-ja, policia, KEDS-i, dikastere të ndryshme dhe i formuam komisionin aktual, të cilat janë në terren për vlerësimet e dëmeve që unë mendoj se do të zgjasin edhe në ditët e ardhshme. Kam kontakt me ministrinë apo me Qeverinë dhe pres një vizitë nesër e të shohim se si do të gjejmë forma dhe metoda buxhetore të bëjë zgjidhjen dhe përmirësimin e dëmeve”, u shpreh kryetari Rugova.

Ai bëri të ditur se shkollat nuk do të hapen as nesër, e sa i përket energjisë elektrike tha se KEDS-i është duke punuar intensivisht dhe se sot brenda ditës një pjesë e zonave urbane do të jenë të furnizuara me energji elektrike.

“Unë mendoj se shkolla nuk do të funksionojë edhe nesër. Nuk ka kushte për mbajtjen e mësimit… KEDS-i e dha premtimin sot se brenda ditës me ekipet e angazhuara në terren ta rikthejë furnizimin me energji, sidomos në, zonat ”, tha Rugova.

Drejtori i shkollës fillore “Hysni Zajmi” në fshatin Vrellë, Sadik Bicaj tha se kjo është një ndër shkollat me më shumë dëme materiale dhe se nuk ka kushte për mësim deri të hënën.

“Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, një erë e fuqishme e pa parashikueshme, erë e cila nuk mbahet mend të ketë fryrë kësaj ane më shume se natën e sotme, kështu që siç po e shihni edhe vetë dëmet janë katastrofike, më se gjysma e kulmit të pullazit të shkollës është e tërhequr, llamarina përgjithësisht e kulmit është e dëmtuar… Kryetari i Komunës duke i pasur parasysh rrethanat në të cilat kanë qenë dhe sipas bashkëpunëtorëve të tij, mësimin e ka shtyrë deri të hënën”, tha Bicaj.

Drejtori i Urbanizmit, Besart Dreshaj, tha për KosovaPressin, se janë duke punuar në terren dhe se shumë shpejt do të dalin me një raport lidhur me vlerën e dëmeve të shkaktuar nga erërat.

“Për momentin me shifra nuk jemi në gjendje për të folur, mirëpo janë dëme jashtëzakonisht të mëdha, të cilat kanë dëmtuar përpos pronës publike kanë dëmtuar edhe pronat private. Kryetari i komunës në një mbledhje të jashtëzakonshme sot që ka mbledhur komitetin për shpëtim dhe siguri të komunës, policinë, FSK-në, zjarrfikësit dhe përfaqësuesit e KEDS, jemi mobilizuar dhe kemi formuar komisione të cilat do të dalin në terren për të bërë vlerësimin dhe gjendjen faktike të cilën si po shihet dëme jashtëzakonisht të mëdha… Komisionet jemi duke punuar në terren, shumë shpejt do të dalim me një raport detajues lidhur me dëmet dhe vlerën që llogaritët përafërsisht që ka ardhur si rezultat i erës së madhe”, u shpreh Dreshaj.

Qytetari Vehbi Zogaj, tha për KosovaPress, se fshati Kaliqan i komunës së Istogut, ka rreth 300 shtëpi dhe se mbi 80 për qind kanë pësuar dëme nga erërat.

“Era ka qenë shumë e fuqishme me dëme jashtëzakonisht të mëdha, kështu që besoj dhe shpresoj që për këto dëme të na ndihmojë Komuna dhe Qeveria e Kosovës…Fshati ka diku rreth 300 shtëpi, unë konsideroj që mbi 80 për qind janë të dëmtuara shtëpitë në fshat”, u shpreh Zogaj