75 Mall Live Search
14:59 / E Premte, 07 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Istogu prej 72-orësh pa energji elektrike, pritet të rikthehet në mbrëmje

Mëngjesi i së enjtës Komunën e Istogut e gjeti të shkatërruar nga erërat e fuqishme, që po vazhduan për dy ditë, shkruan IndeksOnline.

Për shkak të stuhisë së madhe, qe 72 orë, Istogu është në terr.

IndeksOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, për të pyetur se kur do të rikthehet energjia elektrike për këta banorë.

Buzhala ka thënë se ka prishje të mëdha të tensionit të mesëm, por sipas tij,  gjysma e prishjeve janë rregulluar.

Ndërsa, deri në mbrëmjen e sotme pritet që të ndriçohet Istogu përsëri, pra t’i rikthehet energjia elektrike.

“Në Istog kanë qenë disa prishje në daljet 10 kV, pra të tensionit të mesëm. Më tepër se gjysma e prishjeve tashmë janë rregulluar dhe konsumatorët kanë energji elektrike. Ju e dini se Komuna e Istogut në gjendje emergjente dhe më e afektuar nga stuhia e fundit. Kishte shume dëme, duke përfshirë edhe ato të energjisë elektrike. KEDS-i menjëherë ka aktivizuar ekipet dhe të gjitha makineritë. Madje, me makineri na kanë ndihmuar edhe Komuna e Istogut. Kjo nënkupton që të gjitha prishjet po evitohen ne kohën më të shkurtër të mundshme. Por, dëmet janë shumë të mëdha dhe eleminimi komplet po merr kohë. Presim që gjithçka të rregullohet deri në mbrëmjen e sotme”, ka thënë ai për IndeksOnline.

Nërsa, sot gjatë ditës në Komunën e Istogut e ka vizituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka premtuar se do t’u qëndrojë afër komunave të prekura nga erërat e forta.

“Na vjen mirë që nuk ka pasur dëme në njerëz meqenëse erërat kanë qenë shumë të fuqishme dhe ka qenë një situatë tepër e rrezikshme, por meqenëse erërat kanë qenë të fuqishme nuk ka pasur njerëz kemi qenë me fat. Këto dëmtime duhet të riparohen pasi që të evidentohet dhe të bëhet një vlerësim i tyre dhe urojmë që nxënësit, mësimdhënësit sa më parë të kthehen në shkollë sepse shkollimi nuk ka zëvendësim”, tha ai./IndeksOnline/