75 Mall Live Search
15:02 / E Premte, 21 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Banorët e Rahovecit kundër projektit 6 milionësh të komunës

Banorët e fshatit Fortesë, të komunës së Rahovecit, po e kundërshtojnë fuqishëm projektin e zgjerimit të rrugës Rahovec –Xërxë, shkruan IndeksOnline.

Sipas tyre, ky zgjerim i rrugës, në vlerë mbi 6 milionë eurosh,  nuk është i nevojshëm dhe fshatin Fortesë do ta ndaj në dhjetë copësh.

Elvis Fetoshi, banor i këtij fshati i ka kërkuar kryetarit,  Smajl Latifi, një debat publik që do të sqarohet njëherë e mirë këtë projekt se cilat janë benefitet dhe dëmet e tij.

“Kërkojmë një debat publik që të informohemi për çdo detaj të kësaj rruge , e që deri tash nuk kemi pasur një te tillë nga ju edhe pse e kemi kërkuar që nga dita e parë që kur e keni marrë ketë vendim.

Ne si banorë të Fshatit Fortesë , nuk e shohim të nevojshme që kjo rrugë të zgjerohet dhe fuqishëm do të kundërshtojmë në secilën mënyrë ligjore që na përket si Qytetarë të Republikës së Kosovës , në asnjë mënyrë nuk do lejojmë që zëri ynë të rri i heshtur!

Eja diskutojmë dhe na sill projektin që ta shofim se për çfarë zgjerimi bëhet fjalë  z.Kryetar.!”, ka thënë Fetoshi.

Ndërsa, krytari i Rahovecit, Smajl Latifi, për IndeksOnline ka thënë se pjesa në të cilën do të bëhet zgjerimi i rrugës është pronë publike dhe të gjithë do të kenë kyçje të lehtë në të.

Latifi ka thënë se qytetarët do të informohen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për çdo gjë me projektor.

“Shumë hërë e kam komunikuar me opinionin se është një rrugë e rëndësishme, është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës që e kemi fituar ne si komunë. Është një pronë publike, do të ketë qasjepër çdo gjë, krejt në pronë publike është dhe është kontratë. Kontrata është nënshkruar në 2019.

“Janë reagime të cilat mund të mos kenë informata të mjaftueshme por sot do të informohen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të shpjegoj edhe kështu me CD të gjithë projektin se çfarë ka me ndodh, ajo është pronë publike dhe e shpronësuar. Qasje do të kenë çdo kush dhe rruga do të jetë e hapur jo e mbyllur ani pse katër korsi, por e hapur e jo autostradë por do të kenë qasje të lehtë secili”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit, ndërtimi i rrugës me katër korsi në rrugën rajonale Rahovec Xërxë ka për qëllim, lehtësira për biznese, qarkullim të lehtë për të giithë pjesëmarrësit në komunikacion, zgjerim të segmentit për nevoja të qytetit, duke e ditur se çdo qytet në Kosovë ka hyrjen e saj me rrugë të zgjeruara, e shumë benefite të tjera.

Ky projekt është i komunës së Rahovecit, përkatësisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike si bartëse e tij, i përkrahur financiarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Vlera totale e projektit është: 6,513,953.60 euro dhe është i ndarë në tri Lote:

Lot I- ka gjatësi 4400 metra, në vlerën: 2,947,480.25 €uro, me operator “Viktoria Invest International SH.P.K.”

Lot II- me gjatësi 2850 metra, në vlerë: 1,739,598.46 €uro, me operator “Euro Asphalt SH.P.K.”

Lot III- me gjatësi 4300 metra, në vlerë: 1,826,875.07 €uro me operator “Mendi – P SH.P.K.”/IndeksOnline/