75 Mall Live Search
10:04 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

I hiqet licenca shkollës private në Tiranë, që u mbyll për 2 javë, shkak koronavirusi

Paniku nga koronavirusi, i cili po përhapet në Itali, ka bërë që të alarmohen edhe qytetarët e Shqipërisë.

Derisa në Itali tashmë numri i të vdekurve nga ky virus ka shkuar në 4, për shqiptarët që jetojnë atje nuk është raportuar për ndonjë të prekur.

Ndërsa, në Tiranë, një shkollë private dje pezulloi mësimin për dy javë, por përmes një statusi të bërë në llogarinë Facebook, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka thënë se ai institucion këtë e ka bërë pa urdhërin e ministrisë, prandaj ia kanë hequr licencën, përcjell Indeksonline.

Ky është postimi i plotë i ministres Shahini:

Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën.

Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik, duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë.