Begolli thotë se Drita është skuadra më e favorizuar nga gjyqtarët, Zymberi ia përmend ndeshjen Drenica-Prishtina!

Zyrtari i Dritës, Valon Zymberi është përfshirë në një debat të ashpër me drejtorin sportiv të Prishtinës, Granit Begollin, pas duelit të zhvilluar sot në Gjilan.
Begolli është ankuar në ndarjen e drejtësisë sot, të cilën e quajti tendencioze.
Gjithsesi, Begolli nuk e mohoi fitoren e merituar të Dritës.
“Drita sot e deshi fitoren më shumë, mirëpo disa episode na kanë penalizuar. Leci ka mundur të ndëshkohet me karton të kuq”, deklaroi Begolli në “Dueli Sportiv”.
“Ne jemi penalizuar edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit edhe sot ndaj Dritës”.
“Drita është ekipi më i favorizuar nga gjyqtarët, e pamë si fitoi me Vushtrrinë”, shtoi ai.
Kjo deklaratë bëri që Zymberi të reagojë ashpër, duke ia përmendur Begollit ndeshjen Drenica-Prishtina, të zhvilluar lehtësisht nga bardhekaltërit para tri javësh.
“Kush po flet për favorizime. A e dini kush po flet? Cka ndodhi para tri javësh në ndeshjen ndaj Drenicës? Të gjithë e dijmë cfarë ka ndodhur”, u shpreh Zymberi.
“Mua nuk më pëlqen fakti që në Kosovë gjithmonë humbësi ankohet për referim. Në Prishtinë jemi dëmtuar nga gjyqtari në fund të takimit, asnjë herë nuk jemi ankuar. Kjo është kulturë që të pranohen vendimet e gjyqtarëve”.
“Ju (Prishtina) është më mirë që të mendoni se si gjatë 90 minutave e keni krijuar vetëm një gjysmërast, ku topi i rrëshqiti nga duart portierit tonë”, shtoi ai.
Begolli e ka konsideruar të ulët akuzën e Zymberit për ndeshjen Drenica-Prishtina.
I pranishëm në studio është pikërisht edhe trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, i cili nuk foli fare rreth akuzave ku u përfshi edhe skuadra e tij.