75 Mall Live Search
13:53 / E Hënë, 09 Mars 2020 / indeksADMonline

Drejtoresha e një klinike në Shkup, infektohet me coronavirusin

Drejtorja e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, në Shkup, është infektuar me coronavirusin e ri, duke e çuar në katër numrin e të prekurve me COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se te drejtoresha e klinikës, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, është konstatuar prania e virusit pas kthimit të saj nga Italia, ndërsa kritikoi veprimin e saj për mosrespektimin e masave për mbrojtje nga infektimi.

“Më vjen shumë keq për mosrespektimin e masave parandaluese për mbrojtje nga coronavirusi, duhet të them se pacientja është kolege jona, e cila ka qenë në punë për pesë ditët e fundit pas kthimit nga Italia. Ky është një zhgënjim i madh”, tha Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë tha se ekipet e Qendrës së Shëndetit Publik në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës, aktualisht po vlerësojnë shkallën e rrezikut për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me drejtoreshën, gjë që mund të rezultojë me mbylljen e gjithë departamentit.

Ministri shtoi se çdokush që nuk do të respektojë masat, do të përballet me sanksione meqë institucionet nuk do të lejojnë që persona të pakujdesshëm të rrezikojë shëndetin e njerëzve.

“Apelet e përditshme për izolim duhet të merren shumë seriozisht. Kufijtë nuk mund të mbyllen, është e pamundur. Theksoj se kushdo që vjen nga një rajon me rrezik, nëse nuk ka simptoma në kufi, duhet të izolohen për 14 ditë”, tha Filipçe.

Më 6 mars, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, kishte njoftuar për dy raste të reja të prekura me coronavirusin e ri në këtë vend. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një çift bashkëshortor nga Dibra që është kthyer nga Italia disa ditë më parë.

Në Maqedoninë e Veriut, më 26 shkurt ishte regjistruar rasti i parë me coronavirusin, te një grua që ishte kthyer po ashtu nga Italia.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë ka marrë vendimin për të ndaluar të gjitha tubimet dhe ngjarjet e mëdha publike, si edhe zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë deri më 13 mars.