Odat ekonomike i kërkojnë Qeverisë realizimin e kërkesave të tyre pas koronavirusit

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, Oda e Afarizmit të Kosovës, Klubi i Prodhuesve dhe Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar, përmes një konference për media kanë prezantuar kërkesat për masat që duhet marrë karshi pandemisë COVID-19 dhe efektet mbi sektorin privat dhe ekonominë.
Këto oda i kanë propozuar qeverisë që të marrë vendim për riprogramimin e kredive të bizneseve dhe qytetarëve, shtyrjen e afatit për raportimet financiare dhe qartësimi për masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, derisa ka prezantuar kërkesat, tha se të gjitha këto janë masa që e ruajnë sektorin privat, pasi sipas tij, vet kjo situatë do t’i shkaktojë pasojat e veta në sektorin privat.
Ai tha se ka një paqartësi sa i përket masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ku përmendi se një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat kanë refuzuar të dalin në punë.
Rukiqi ka thënë se bizneset private janë përballur me refuzim të punëtorëve për të dalur në punë, duke iu referuar pikës së qeverisë që bizneset një numër të punëve ta organizojnë nga shtëpia.
Ai tha se përveç punëtorëve, problematike është edhe qasja e komunave dhe inspektorëve karshi disa bizneseve, ku ai përmendi se ka pasur ndalim të punës në disa kompani prodhuese si në Ferizaj e Gjakovë, ndërsa potencoi se problem kanë pasur edhe kompanitë si Ipko dhe KEDS.
I pari i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se kërkesat për miell nga qytetarët i ka tejkaluar të gjitha pritjet. Rukiqi tha se ende ka stoqe, por që tha se furnizimi është i vështirësuar. Intensiteti i kërkesës me atë se sa mund të furnizohet, ai tha se është në një diskrepancë, për çka tha se kanë kërkuar që shteti të aktivizojë rezervën shtetërore.
Ai ka ngritur si shqetësim edhe çështjen e transportit të mallrave, pasi tha se Kosova nuk ka vozitës dhe të gjithë transportuesit e mallrave janë shtetas të huaj. Ai tha se pas vendimit të qeverisë që të mos lejohen shtetasit e huaj rrezikohet furnizimi me mallra.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi tha se janë të shqetësuar se qeveria i ka marrë disa masa, por në raport me kërkesat e OAK, ende nuk ka reaguar.
Krasniqi tha se aktualisht janë tri komuna në karantinë, nesër mund të jenë të gjitha komunat në karantinë, ndaj, sipas tij, Qeveria duhet të reagojë ndaj kësaj situate për t’i mbështetur bizneset me një buxhet të veçantë që mos të rrezikohet siguria kombëtare.
Sipas tij, kjo mbështet kërkohet që mos të ndalohet prodhimi, furnizimi me mallra dhe të mos ketë mungesë të produkteve për qytetarët.
Për më tepër ai tha se Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmëruar që nesër do të nxjerrë një pako mbështetëse për bizneset.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka ftuar qeverinë që të ketë parasysh kërkesat e biznesit.
Ndërkaq, drejtoresha e Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar, Ardiana Bunjaku, tha se kërkojnë që të shtyhet afat për raportim financiar.
Deri më tani në Kosovë janë shënuar 5 raste me koronavirus, ku qeveria ka vendosur në karantinë komunën e Klinës, Vitisë dhe Malishevës.