Shoqëria civile apelon për unitet nacional në kohën e emergjencës me koronavirus

Përplasjet ndërmjet koalicionit qeverisës për shkak të shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme kanë nxitur reagimin e një pjese të shoqërisë civile.
Tetë organizata të shoqërisë civile kërkojnë unitet nacional të institucioneve të vendit në kohën kur propozimi i presidentit Hashim Thaçi për gjendje të jashtëzakonshme ka tendosur raportet ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas shkarkimit të Agim Veliut.
“Inicimi i procedurës së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit ka ri-futur në përplasje serioze partitë kryesore politike, gjë që mund të rezultojë me pasojën e një krize institucionale që e rëndon edhe më shumë situatën e krijuar”, thuhet në reagim.
Si një mbikëqyrës objektiv i situatës së krijuar, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë bashkëpunim ndërmjet Qeverisë, Kuvendit dhe presidentit të Republikës de ri në përfundim të emergjencës së shëndetit publik, dhe se çdo veprim tjetër rrezikon të cenojë seriozisht menaxhimin e pasojave të kësaj situate.
“Inicimi i procedurës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund të motivojë edhe më shumë një përplasje politike ndërmjet akterëve parlamentarë. Vlerësojmë se nuk ekziston një argumentim i qartë i nevojës për shpalljen e një gjendje të tillë, pasi cenon menaxhimin e krizës aktuale. Kërkojmë që deri në krijimin e një konsensusi të mirëfilltë politik dhe institucional që një iniciativë e tillë të pezullohet”, thonë organizatat e shoqërisë civile.
Sipas tyre, Kosova nuk e ka luksin të përballet me një situatë të rrëzimit eventual të Qeverisë dhe se vetëm ruajtja e një uniteti kombëtar ndërmjet forcave politike në këto momente ka rëndësi të jashtëzakonshme.
“Një unitet i tillë duhet të jetë mbi qëllimet personale e partiake, e të mos cenoj vlerat fundamentale të ekzistencës institucionale të Republikës së Kosovës në këtë kohë të emergjencës së shëndetit publik”, përfundon reagimi i organizatave të shoqërisë civile D4D, KCSF, GLPS, GAP, EPIK, Lëvizja FOL, Organizata Çohu dhe ORCA.