75 Mall Live Search
12:51 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Ka reciprocitet, jo nuk ka…

Kur kanë kaluar vetëm 15 ditë që nga vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë, në Kosovë thonë se këto masa po respektohen, ndërsa në Serbi deklarojnë se mënyra e eksportimit të mallrave në Kosovë nuk ka ndryshuar.

Sava Pereniq është një tregtar nga Graçanica. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është duke pritur 24 tonë miell nga Vojvodina.

Pereniq thotë se pas 1 prillit, kur edhe ka hyrë në fuqi reciprociteti i vendosur nga Qeveria në detyrë e Kosovës, ka lindur një problem. Kamionët nuk mund të importojnë mallra në Kosovë pa certifikatë fitosanitare, thotë ai, duke iu referuar një dokumenti që vlen për kompani që kryesisht merren me prodhim të produkteve ushqimore ose me importim të tyre.

“Ne nuk mund të importojmë për momentin, për shkak të kësaj certifikate. Jemi duke pritur të shohim nëse mund të kalojmë kufirin pa të, por, siç duket, kjo nuk mund të ndodhë. Prodhuesi na tha se ai nuk mund të na lëshojë atë certifikatë dhe tani ne jemi duke pritur dërguesin e mallrave për të na njoftuar se si të vazhdojmë”, thotë Pereniq.


Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet serbe, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.

Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, që nga heqja e taksës 100 për qind dhe fillimi i reciprocitetit, nga 1 prilli deri më 15 prill, vlera e mallrave që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia është 6.7 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, deklaron se bëhet fjalë kryesisht për industrinë ushqimore, të ndërtimit dhe produktet kimike.

Të gjitha dërgesat, thotë Stavileci, deri më tash i janë referuar Kosovës në bazë të vendimit të qeverisë, si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar.