75 Mall Live Search
13:39 / E Mërkurë, 22 Prill 2020 / indeksADMonline

​Veseli: Karantina të na shërbejë si periudhë reflektimi për kujdes ndaj trashëgimisë natyrore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se karantina duhet të shërbejë si periudhë reflektimi për të vlerësuar e kujdesur më shumë për trashëgiminë natyrore. Ai ka uruar Ditën e Tokës dhe bërë thirrje që ajo të mbrohet duke mos ndotur mjedisin dhe duke harxhuar më pak burime natyrore.

Veseli ka shkruar qëndrimi në shtëpi gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me koronavirusin, i ka bërë te gjithë që të ndjejnë më shumë mungesën e natyrës.

“Dita e Tokës sivjet na ka gjetur të mbyllur në shtëpi, por kjo nuk duhet të na pengojë për të menduar në mënyrë ekologjike për shtëpinë tonë të madhe të përbashkët. Madje besoj se qëndrimi i zgjatur në shtëpi gjatë kësaj periudhe, na ka bërë të gjithëve që t’ia ndiejmë më shumë mungesën natyrës, florës dhe faunës së pasur të Kosovës. Prandaj karantina duhet të shërbejë edhe si periudhë reflektimi për ta vlerësuar e për t’u kujdesur më shumë për trashëgiminë tonë natyrore”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij zyrtare në facebook.

Sipas tij, natyra duhet të ruhet duke përdorur materiale të ricikluara e burime të energjisë së ripërtritshme.

“Ambienti i gjelbër dhe stili i jetës në harmoni me natyrën duhet parë si parakusht për të pasur një jetë më të shëndetshme e të bukur. Të gjithë ne mund të bëjmë pjesën që na takon për të mbrojtur mjedisin duke mos ndotur, duke harxhuar më pak burime natyrore apo duke përdorur materiale të ricikluara e burime të energjisë të ripërtëritshme. Gëzuar Ditën e Tokës”, ka shkruar ai.