Ekskluzive: Takohen Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, ka pajtime mes dy palëve

Isa Mustafa e Ramush Haradinaj kanë patur një takim në orët e para të ditës së sotme. Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se kreu i LDK-së dhe AAK-së kanë diskutuar detajet nga koalicioni i mundshëm mes dy partive.
Indeksonline ka kontaktuar Haradinajn, i cili e ka konfirmuar takimin.
“Po, kemi patur një takim më Isa Mustafën. Jemi dakorduar së bashku që të avansojmë tutje” ka thënë Haradinaj për Indeksonline.
Takimi ka ardhur pas dy shkresave zyrtare nga dy taboret partiake. Indeksonline ka siguruar dy shkresat që i kanë paraprirë këtij takimi.
Isa Mustafa ishte i pari që i kishte shkruar Haradinajt dhe AAK-së ku edhe ia ka cekur pikat kryesore të qeverisjes.

Lufta ndaj pandemisë Covid-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë, forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit e korrupsionit, dhe forcimi i partneritetit me BE-në e SHBA-në janë pikat që Mustafa ia ka cekur Haradinajt për bashkëqeverisje, shkruan Indeksonline.

Nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur përgjigja e Haradinajt. Lideri i AAK-së ka vlerësuar se vendi ka nevojë urgjente për daljen nga kriza institucionale.

Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm që të harmonizojnë programet dhe se orientimi i djathtë i të dy partive është ndihmesë për një program të përbashkët qeverisës./Indeksonline/